
Ngjarja ka ndodhur mes dy familjeve rivale Terziu nga Tetova dhe një familje nga fshati Gajre pasi ishin në hasmëri.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Tetovë të Maqedonisë.
Mësohet se një 46-vjeçar ka mbetur i vrarë pas një sherri të armatosur në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” me rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë. Bëhet me dije se pati një shkëmbim me armë zjarri nga dy automjete.
Dëshmitarët okulare thanë se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se makina nga ku u sulmua, u largua me shpejtësi.
Raportohet se nga të shtënat u plagosën edhe dy kalimtarë të rastit. Një vajzë 13-vjeçare e cila me plagë në këmbë është dërguar në Spitalin e Tetovës si dhe një i moshuar, i cili është transportuar në Qendrën Klinike në Shkup si rast urgjent.
Po ashtu një vajzë që ka qenë duke punuar në lokalin pranë vendit të ngjarjes ka mbetur e plagosur, si dhe një taksist i cili u përplas me automjet nga autori, gjatë arratisjes së tij nga vendngjarja. Ndërkohë, në total kanë mbetur të plagosur 6 persona.
“Automjeti që është drejtuar drejt rrugës “113” është një automjet pasagjerësh “Ford Fiesta” me targa të Tetovës. Gjatë kontrollit është konstatuar se bëhet fjalë për targa të çregjistruara nga i njëjti automjet, në pronësi të personit E.M.(19) nga fshati Gajre e Tetovës. Gjatë marrjes së masave, në kryqëzimin e rrugës “Bllagoja Toska” me rrugën “107” është gjetur një automjet pasagjerësh “Volkswagen Golf” me targa të Tetovës, në pronësi të F.R.(46) nga Tetova, ndërsa brenda automjetit është gjetur një person i vdekur me plagë nga arma e zjarrit”, njoftoi policia.
Autoritetet janë vënë në kërkim të autorëve, ndërsa dyshohet se autorët kanë lëvizur në drejtim të Jazhincës drejt kufirit me Kosovën.
Bëhet fjalë për rast hasmërie mes familjeve rivale Terziu nga Tetova dhe një familje nga fshati Gajre.
Lini një Përgjigje