TAGS-AT E JAVËS

Kronike18 Qershor 2026, 16:33

Procedohen penalisht 23 protestues, policia: Penguan qarkullimin e mjeteve në disa rrugë në kryeqytet!

Shkruar nga Pamfleti
Procedohen penalisht 23 protestues, policia: Penguan qarkullimin e mjeteve
Protesta

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 23 shtetas pas tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme para Kryeministrisë, në kuadër të ditës së 18-të të protestës që po zhvillohet në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar, krahas masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë kryer veprime hetimore dhe procedurale për identifikimin e personave që dyshohet se kanë shkelur ligjin gjatë protestës.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se disa pjesëmarrës kanë organizuar dhe drejtuar protestuesit në mënyrë që të bllokonin qarkullimin e lirë të mjeteve në disa akse rrugore të Tiranës, duke devijuar nga itinerari i njoftuar më herët pranë autoriteteve.

Për këtë arsye, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë proceduar penalisht 23 shtetas, të cilët dyshohen për përfshirje në organizimin dhe zhvillimin e këtyre veprimeve.

Policia bën me dije se puna vijon për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në pengimin e qarkullimit dhe në veprime të tjera të kundërligjshme gjatë tubimit.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Po ashtu Policia njofton se shtetasi me inicialet R.M ka kallëzuar për kanosje Gent Prognin, pas një debati lidhur me publikimin e një videoje në një rrjet social, ku pretendohej se Gent Progni pengonte qytetarët të flisnin në podium.

Qytetari që ka kallëzuar Prognin, pretendon se ai dhe bashkëshortja e tij, ndihen të kërcënuar prej Gent Prognit.

procedim protesta policia

Lini një Përgjigje