Fqinjët e Skënder Likës, banesës së cilës i vendosën tritol mëngjesin e sotëm në Sanxhak të Lezhës, e përshkruajnë shpërthimin si të tmerrshëm. Ato e krahasojnë me një tërmet të fuqishëm, ndërsa dëmet në banesën e tyre janë shumë të mëdha.
“Shpërthimi ka qenë shumë i frikshëm shumë i tmerrshëm. Ne ishim në gjumë, e kemi dëgjuar! Si tërmet i fuqishëm. Kur kam dalë jashtë kam menduar se ishte tërmet. Dëmi është kolosal. E kemi pasur ballë për ballë shtëpinë.”-u shpreh një nga fqinjët.
"Nga ora 3 e gjysmë. Kur dola mendova se ishte ndonjë termet. Dolëm të gjithë! Pashë pastaj policinë, i kanë vendosur tritol kushëririt tim. Ja ka çarë murin atje. U frikësuam shumë. Kam dalë me vrap duke ikur nga frika. Çatia më ka dalë nga shtëpia. Kam biznesin çdo gjë na është thyer."-tha një tjetër.
Banesa e Skënder Likës në Sanxhak të Kurbinit nuk është hera e parë që vendoset në shënjestër. Dy vite më parë, më 20 shkurt 2021, persona ende të paidentifikuar kishin vendosur në derën e banesës së Skënder Likës, 9 plumba. Ishte Lika që i pikasi plumbat, ndërsa fill pas kësaj bëri denonconin në polici. Ndërkohë që vëllait të Skënderit, Myslim Likës iu bë atentat pak ditë para ngjarjes.