Policia njofton se janë arrestuar 5 punonjës të kompanisë minerare "Gerti Sh.p.k,", ku ishte i punësuar 66-vjeçari Fari Veliu i cili humbi jetën në një minierë në Bulqizë pas shembjes së kromit.
Në pranga janë vënë punonjësit e stafit teknik Njazi Përkola, 46 vjeç, Besnik Çupi, 68 vjeç, Ferit Truka, 61 vjeç, Ervis Kadiu, 35 vjeç dhe Edmond Xhafa, 51 vjeç.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se të arrestuarit nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Referuar të dhënave në Regjistrin e Lejeve Minerare, aksidenti ka ndodhur në galeritë e kompanisë “GERTI Shpk”, e cila është në pronësi të Jeton Danit.
Ky i fundit është një emër i njohur në zonë, jo vetëm për aktivitetin minerar, por edhe për angazhimin politik në Partinë Socialiste. Në zgjedhjet e 11 majit, djali i tij, Murat Dani, kandidoi për deputet në listën e hapur të PS-së në qarkun e Dibrës.
I kontaktuar nga BIRN-i, Dani kërkoi të “lihej rehat” dhe refuzoi të fliste për ngjarjen ku humbi jetën minatori 66-vjeçar.
Veliu ishte një nga minatorët që, pavarësisht moshës dhe kushteve të rënda të punës, detyrohej të rikthehej në galeritë e kromit për shkak të pamundësisë për të siguruar jetesën vetëm me pension.
Ky aksident përbën ngjarjen e tretë me pasoja fatale në sektorin minerar në zonën e Bulqizës dhe Klosit gjatë këtij viti. Pak muaj më parë, një punëtor i ri humbi jetën teksa punonte në një fabrikë pasurimi kromi në Klos, ndërsa trupi i tij u gjet vetëm pas disa javësh kërkimesh intensive, ku morën pjesë banorët e zonës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Kosovës.
"Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në subjektin minerar ku humbi jetën dje, shtetasi F. Sh., arrestohen 5 punonjës të stafit teknik.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. Sh., 66 vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.", njofton policia.
Lini një Përgjigje