Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku një ndërtesë 12-katëshe pranë “Farmacisë 10” në Tiranë u përfshi nga një zjarr i përmasave të mëdha, policia ka vënë në pranga katër persona.
Konkretisht në pranga ka rënë inxhinieri, Enver Admi, kontraktori i fasadës Altin Furtuna, administratori i pallatit Agron Cara, si dhe menaxherja e Big Market që ndodhej në katin e parë të pallatit, Razie Sula.
Nga zjarri shtatë persona u dërguan në spital, mes tyre edhe zjarrfikës që punuan për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve.
Ndërkohë, ndërtuesi i pallatit është shpallur në kërkim policor, pasi do të merret në pyetje.
Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale lidhur me ngjarjen e një dite më parë ku 30 apartamente u shkrumbuan nga flakët.
Rama bëri të ditur se godina e dëmtuar do të rindërtohet plotësisht nga vetë ndërtuesi, duke theksuar se, sipas të dhënave paraprake, shkaku i zjarrit nuk lidhet me cilësinë e ndërtimit.
Ai nënvizoi gjithashtu se qytetarët e prekur nuk do të lihen të përballen vetëm me pasojat, teksa shtoi se ky rast nxjerr në pah rëndësinë e sigurimit të banesave ndaj fatkeqësive.
Lini një Përgjigje