
Prej dy ditësh, Delvina gjendet nën pushtetin e reshjeve të dendura të shiut, ku rrugë kryesore janë bllokuar për shkak të inerteve dhe prurjeve të ujit ndërsa toka bujqësore e banesa janë përmbytur.
Rrëshqitjet e dheut gjithashtu kanë bllokuar dhe disa automjete, ndërsa është dashur ndërhyrja me mjete të rënda.
Prefektja e Vlorës, Evis Allushi tha se të gjitha njësitë ndodhen në terren për monitorimin e situatës si dhe po punohet për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet.
“Kemi pasur reshje të vazhdueshme me intensitet nga mesatarja deri në nivel të lartë. Delvina është prekur më tepër ka pasur dhe situata që kemi ardhur për t’i parë nga afër. Banorët janë lajmëruar paraprakisht dhe nga an e bashkisë dhe nënprefektit jemi informuar që janë marrë masat e nevojshme për të ndihmuar banorët. Ndodhem në pika të caktuar ku problematikat kanë qenë më të mëdha dhe t’i ndihmojmë sa të mundemi banorët e këtyre zonave për të rikuperuar dëmet që kanë pësuar nga shtirat”, tha Evis Allushi.
Nënprefekti Kristaq Kiço u shpreh e inspektime do të bëhen në një gjitha bashkitë si dhe po punohet për rivendosjen e komunikimit me 3 fshatrat e bllokuar.
“Së bashku me prefekten do të bëjmë një inspektim në të gjitha bashkitë e jugut për të evidentuar problematikat. Personalisht dua të falënderoj kryetaren e bashkisë për gatishmërinë për të vendosur në kontroll situatën, për të hapur rrugët kryesore. Kryesore është vendosja e komunikimit me 3 fshatrat e bllokuara, Lefetehrori, Kakodhiqi dhe Varfaj. Sipas informacioneve që morën nga kryetari i Bashkisë do realizohet sot vendosja e turbinave me qëllim rivendosjen e komunikimit. Do bëjmë evidentimin e dëmeve për familjet që janë prekur nga përmbytjet”, u shpreh nënprefekti Kristaq Kiço për “Report Tv”.
Në terren gjithashtu ndodhet dhe kryetari i Bashkisë së Delvinës, Besmir Veli, i cili u shpreh se aktualisht po ndërhyhet për lirimin e rrugës lidhëse me 3 fshatrat e bllokuar dhe po punohet në çdo lagje të qytetit për kthimin në normalitet të situatës.
“Situata është normalizuar reshjet e shiut janë ulur. Aktualisht jemi duke ndërhyrë në rrugën lidhëse të Delvinës me tre fshatrat. Kjo do të jetë e mundur që banorët e këtyre fshatrave të lëvizin deri në mesditë. Do të bëjmë evidentimin e familjeve që kanë pasur probleme me përmbytjet. Në lagjet e tjera të qytetit po ndërhyhet me skrepa dhe punonjës të bashkë për lirimin e rrugëve dhe kthim në normalitet të situatës”, tha Besmir Veli.

Situata e kushteve të motit mbetet shqetësuese. Pavarësisht reduktimit të reshjeve gjatë ditës së sotme, specialistja e Institutit të Gjeoshkencave, Anira Gjoni tha se orët e vona të mbrëmjes do të rikthejnë sërish reshje intensive në disa qarqe.
“Do të jenë qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës, ku pritet të kemi reshje intensive dhe lokalisht shkojnë deri në shumë intensive, ndërsa në qarqet Shkodër, Korçë dhe Berat priten që reshjet të jenë mesatare dhe lokalisht intensive. Në pjesën tjetër të qarqeve presim që reshjet të jenë mesatare. Në të gjitha qarqet do të jenë të shoqëruara me stuhira”, u shpreh Anira Gjoni.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, situata mbetet alarmante në Vjosë për shkak se reshjet do të vijojnë përgjatë gjithë ditës së premte.
“Për shkak të reshjeve me intensitet të shtuar, në të dyja qarqet, Gjirokastrën dhe Vlorën, mbetet në rrezik të lartë. Sa i takon lumit të Vjosës, rrezikon daljen nga shtrati pasi prurjet dhe nivelet e tij janë në rritje të vazhdueshme. Gjithashtu problematik shfaq edhe lumi Seman dhe Shkumbin, ku për shkak të reshjeve të shtuara përgjatë këtyre tre ditëve shfaqin rrezikshmëri për rritjen e nivelit të tyre”. tha ajo.
Sipas parashikimeve, në fundjavë ulen temperaturat duke sjellë reshje bore në veri.
“Përgjatë fundjavës presim të kemi kalimin e një fronti të ftohtë në vendin tonë, i cili do të sjellë edhe uljen drastike të temperaturave, ku në zonat malore presim që të shkojnë deri në -3 gradë. Përgjatë mbrëmjes të së shtunës dhe mëngjesit të së dielës do të kemi prezencën e reshjeve të dëborës, por kjo do të jetë në zonat malore, në Alpe. Pra, në lartësi mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit, ku mund të përmendim Thethin, gjithashtu edhe në veri-lindje të vendit”, vijoi për "TV Klan".
Nga ana tjetër, për ekspertët, nëntori është muaji më i lagësht i vitit dhe në këtë muaj bie rreth 70% e reshjeve vjetore.
“Prezenca e reshjeve të shiut përgjatë këtij nëntori është një sjellje normale e këtij muaji. Ajo çfarë ka qenë anormale, kemi patur mungesën e reshjeve“, përfundoi specialistja.
Deri në mbyllje të muajit nëntor, reshjet e shiut do të jenë prezente në mbarë vendin, por me intensitet më të ulët.

Reshjet e pandërprera dhe prurjet e mëdha të zallit të Urakës kanë rënduar situatën e rrezikut të përmbytjes së 8 familjeve në fshatin Bruç të Matit.
Prej dy ditësh këto familje kërcënohen nga niveli i lartë i ujit, i cili aktualisht ka dëmtuar një pjesë të argjinaturës dhe rrugës që i lidh ata me pjesën tjetër të fshatit.
Për shkak të rrezikut të lartë, Bashkia e Matit ka kërkuar mbështetjen e ushtrisë e cila pritet të mbërrijë nga momenti në moment pranë familjeve që rrezikohen.
Reshjet e shiut vijojnë, e bashkë me to shtohen edhe prurjet e lumenjve. Situatë problematike mbetet edhe me rrugët rurale ku shumë prej tyre kalohen vetëm me mjete tylë larta. Po ashtu, ka dëmtime edhe në veprat e marrjes së ujësjellësave të fshatrave.

Reshjet e dendura të shiut në Kukës, përveç ndërprerjeve të herëpashershme në furnizimin me energji elektrike, kanë treguar edhe një herë gjendjen e rënduar të infrastrukturës rrugore në zonat e thella malore.
Në fshatin Kolesjan, në lagjen Palush, rrëshqitja e dheut nga prurjet e ujit bllokoi segmentin rreth 2 kilometra që e lidh lagjen me rrugën nacionale Kukës-Bicaj-Kolesjan-Bushticë.
Fadroma e Drejtorisë së Rrugëve të Bashkisë Kukës, ka ndërhyrë për të hapur qarkullimin. Faik Palushi, kryetar i lagjes, thotë se situata përsëritet sa herë bie shi me intensitet. Sipas tij, rruga që shërben për 24 familje është prej vitesh në gjendje tepër të amortizuar dhe banorëve u është premtuar nga bashkia se do të ndërtohet.
Edhe Drejtoria e Rrugëve Rurale konfirmon se reshjet e ditëve të fundit krijuan probleme në disa segmente rrugore.
Bilbil Shahu, drejtori i Rrugëve Rurale, njofton se ekipet kanë ndërhyrë menjëherë në çdo pikë ku është raportuar bllokim. Ai thotë gjithashtu se, pavarësisht dëmeve në infrastrukturë, nuk është evidentuar asnjë rast përmbytjeje apo depërtimi të ujit në banesa dhe izolim të banorëve.
Situata më problematike është paraqitur në Zapod dhe në segmentet rrugore të Koloshit, ku mjetet e rënda janë detyruar të ndërhyjnë dy herë për të garantuar qarkullimin.
Megjithëse situata është stabilizuar, banorët e zonave të thella rurale thonë se çdo kohë me reshje e shndërron qarkullimin në sfidë, duke treguar nevojën urgjente për investime të qëndrueshme në rrugët lidhëse te fshatrave që mbeten jetike për banoret e zonave te larta malore.
Lumi Shkumbin raportohet se ka dalë nga shtrati duke përmbytur tokat bujqësore brenda argjinaturës.
Shkak janë prurjet e shtuara të ardhura deri më tani dhe sipas parashikimeve pritet të dali nga shtrati deri në tokat e Çermë Shkumbinit.
Raportohet se plotat e ujit të ardhura në rritje kanë nxjerrë nga shtrati lumin në zonën e Çërmës së Sipërme dhe në vijim pritet akoma rritje.
Është dhënë njoftimi për fermerët që kanë stanet në zonën e Kumarit në Divjakë që të evakuojnë bagëtitë.
Ndërkohë situata paraqitet e ndërlikuar edhe në lumin Seman. Ky i fundit ka dalë nga shtrati në zonën e Ngurrëzës së Vogël deri në Imshtë, ku tokat brenda argjinaturës ndodhen në kuota të ulëta.
Mbrëmjen e kaluar mësohet se u evakuuan bagëti të imta dhe gjedhë nga zonat me rrezik, pasi pritej ardhja e prurjeve të mëdha. Aktualisht, prurjet nuk kanë arritur ende kulmin, ai parashikohet të mbërrijë pasditen e sotme, nga rrjedha e Osumit dhe baseni i tij.
Ndërkohë, prurjet nga Devolli mbeten minimale, pasi depozitohen në hidrocentralin e Banjës, i cili lëshon vetëm sasinë e nevojshme për prodhimin e energjisë, rreth 100 m³/s.
Ad
Gold Is Surging in 2025 — Smart Traders Are Already InIC Markets
What Is New Senior Apartments and How to Choose the Right OneSenior Living Guide
Sipas përgjegjësit të sektorit Lushnje i drejtorisë së Bordit të kullimit dhe ujitjes, inxhinierit Ferdinand Dervishi, situata është mëse normale dhe dalja e lumit nga shtrati ka përmbytur 180 hektarë toka brenda argjinaturës, ndërkohë që janë evakuuar stane me bagëti të imëta dhe gjedhë

1700 familje në Qarkun e Korçës janë pa energji elektrike pas stuhisë së 48 orëve të fundit.
Më e rëndë situata paraqitet në Bilisht, ku pas defekteve në nënstacionin e këtij qyteti kanë ngelur 1444 familje janë pa energji elektrike.
208 familje të tjera janë pa energji elektrike në fshatrat Protopapë, Peshtan, Mazrekë e Pulahe pas defektit në nënstacionin e Rehovës.
Gjithashtu, 50 familje janë pa energji në fshatrat Panarit, Ballabanovë, Treske e Grabockë per shkak të defektit të fidrit nr.6.
6 grupe pune nga OSSHE Korçë janë në terren duke punuar për normalizimin e situatës, por terreni i thyer malor dhe gjatësia e linjave e bën të vështirë situatën e krijuar.

Moti i keq ka shkaktuar një seri problemesh në disa nga akset rrugore, kryesisht në zonat veriore të vendit, por edhe në juglindje.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) kontraktorët kanë vijuar punën për pastrimin e akseve nga rënia e inerteve dhe gurëve nga skarpatet në disa segmente rrugore.

Probleme kanë paraqitur akset Tropojë-Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Fierzë, Sopot-Kam, Dushaj-Lekbibaj, Kukës-U. Zapotit-Shishtavec, Kukës-Krumë, Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, Skurraj-Peshkopi, si dhe Elbasan-Qafë Thanë, por ARRSH informon se akset janë hapur.

Sipas Autoritetit, vazhdon prezenca e ujit në disa segmente të tjera të rëndësishme, si Laç-Ura e Drojes, Qafë Gjashtë-Shën Vasil dhe Krane-Syri i Kaltër, Tepelenë-Shtëpez.
Në aksin Maliq-Lozhan, në km 13, në zonën e Moglicës, është raportuar rënie gurësh dhe prani inertesh dhe aluvionesh, që shkaktuan bllokimin e rrugës. Menjëherë, informoi ARRSH, është ndërhyrë për pastrimin dhe hapjen e këtij aksi, i cili tashmë është rikthyer në normalitet.

Aktualisht të gjitha akset nacionale janë të hapura për qarkullimin e mjeteve, dhe autoritetet vijojnë monitorimin e situatës.





Gjatë 24 orëve të fundit, situata nga reshjet e shiut në Lushnjë dhe Divjakë ka qenë përgjithësisht normale, pa prani uji në tokat bujqësore dhe në zonat që tradicionalisht përmbyteshin çdo vit.
Të tre hidrovorët kryesorë të zonës vijojnë punën në gatishmëri të plotë. Hidrovori i Tërbufit ndodhet në kuotën -140 cm, hidrovori i Karavastasë në -180 cm, ndërsa ai i Divjakës në -40 cm.
Sipas autoriteteve, pompat janë në funksionim me nga një ose dy njësi, në varësi të prurjeve.
Shkumbini aktualisht është rrafsh me brigjet, ndërsa situata më e ndërlikuar paraqitet në lumin Seman. Ky i fundit ka dalë nga shtrati në zonën e Ngurrëzës së Vogël deri në Imshtë, ku tokat brenda argjinaturës ndodhen në kuota të ulëta.
Mbrëmjen e kaluar mësohet se u evakuuan bagëti të imta dhe gjedhë nga zonat me rrezik, pasi pritej ardhja e prurjeve të mëdha. Aktualisht, prurjet nuk kanë arritur ende kulmin, por parashikohet të mbërrijë pasditen e sotme, nga rrjedha e Osumit dhe baseni i tij.
Ndërkohë, prurjet nga Devolli mbeten minimale, pasi depozitohen në hidrocentralin e Banjës, i cili lëshon vetëm sasinë e nevojshme për prodhimin e energjisë, rreth 100 m³/s.
Sipas përgjegjësit të sektorit Lushnje i drejtorisë së Bordit të kullimit dhe ujitjes, inxhinierit Ferdinand Dervishi, situata është mëse normale dhe dalja e lumit nga shtrati ka përmbytur 180 hektarë toka brenda argjinaturës, ndërkohë që janë evakuuar stane me bagëti të imëta dhe gjedhë.

Zona e Bregut të Matës në Lezhë rrezikon që të përmbytet pasi argjinatura e lagunës në Tale është dëmtuar dhe për pasojë uji ka vërshuar drejt zonave të banuara.
Banorët shprehen të indinjuar. Njëri prej tyre thotë se këneta ka pasur ngarkesë për shkak se hidrovori e ka futur ujin në kënetë.
Ai shprehet gjithashtu se nuk do të bëhet asgjë nëse hidhet vetëm zhavorr, por kërkon që të ketë beton.
“Po përmbytet si në ‘60. Kur nuk ka qenë hidrovori. Njësoj është bërë. E gjithë pjesa është e mbytur në ujë. Kjo punë është bërë vetëm për hatër të peshkatarëve mos me dalë në det. Eskavatori e ka çuar 10 metra pa u bashkuar me detin. Tani erdhi e plasi këtu. Pika më e dobët. Nuk kanë pasur kohë me e bërë se këtu ka qenë pjesë e ulët dhe me e ardhur me përforcuar që të mos çahet. Këneta ka pas ngarkesë sepse i gjithë hidrovori e ka futur ujin në kënetë. Me një vend ka pasur për t’u hapur se uji e hap rrugën vetë. Këtu vetëm ushtria me sjell blinda betoni se me dhe nuk zë më. Ja ku është zhavorri, por nuk mbushet me zhavor. Vetëm me beton", tha banori.
Një tjetër thotë se shkak i kësaj situate është bërë edhe devijimi i rrugës.
“Kur ka filluar rruga, që ka marrë firma, e kanë pyetur firmën dhe i kam thënë a do të lihet vendi për të hapur kanalin. As nuk e lanë as vend për eskavato dhe e kanë devijuar projektin e rrugës mbi tre metra. Tani janë sjellë trotuarin në kanal dhe me spostuar rrugën në kanal, këtu jemi të përmbytur nga kjo rrugë. 57 mln që ka sjellë shteti për turizëm dhe ne përmbytemi si vend. Këtu mund të përmbytet komplet bregu i Matës. Situata ka filluar që natën. Vendi do përmbytet dhe devijimi i rrugës është problem kryesor”, u shpreh ai për “Report Tv”.

Vendi ynë prej disa ditësh është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut. Si pasojë e këtyre reshjeve 8 banesa në qarkun e Beratit janë përmbytur: konkretisht një në Moravë, bashkia Berat, 5 banesa në bashkinë Dimal në vendin e quajtur Dafinat dhe 2 banesa në fshatin Çiflik.
Në Njësinë administrative Velabisht në fshatin Veterrik vijon të jenë nën prezencën e ujit rreth 80 ha siperfaqe ullishte dhe toka bujqësore për shkak të mos tërheqjes së lumit.
Në fshatin Arrës dhe Çiflik ka dalje të lumit nga shtrati dhe janë përmbytur rreth 13 ha toka bujqësore.
Në bashkinë Poliçan sipas raportimit ka përmirësim të situates në fshatin Bregas dhe Vodicë, ujërat janë duke u tërhequr.
Lidhur me kalueshmërinë e rrugëve, në aksin aksin Berat - Poliçan, në vëndin e quajtur Çezma e Thatë ka rënie inertesh. Grupet e punë në terren për pastrimin e rrugës.

Situata e përkeqësuar e motit dhe vështirësitë në terren në qarkun e Elbasanit vijojnë të jenë nën monitorimin e pandërprerë të Emergjencave Civile.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, ku vetëm gjatë natës kanë rënë 33 mm shi. Këto reshje kanë shkaktuar disa problematika, të cilat janë menaxhuar në kohë nga strukturat përgjegjëse.
Në disa akse rrugore ka pasur rënie gurësh dhe inertesh, përfshirë aksin kombëtar Elbasan–Qafë Thanë në kthesat e Murrashit, si dhe aksin Gramsh–Moglicë ku reshjet kanë shkaktuar aluvione. Ndërhyrja e firmave të mirëmbajtjes ka bërë të mundur pastrimin e menjëhershëm të rrugëve dhe garantimin e qarkullimit normal të mjeteve.
Situata hidrologjike paraqitet e kontrolluar, me prurje mesatare në përruan e Zaranikës dhe të Pajunit, ndërsa në lumenjtë Shkumbin dhe Devoll janë regjistruar nivele mbi mesatare, por pa rrezik për dalje nga shtrati apo përmbytje. Edhe lumi i Kërpices në fshatin Kërpice të Njësisë Administrative Kushovë shfaq një situatë të stabilizuar, me prurje të reduktuara.
Probleme janë regjistruar në furnizimin me energji elektrike në disa zona malore, përfshirë zonën e Sopotit në bashkinë Prrenjas, fiderin e Banjës në bashkinë Gramsh, si dhe fshatrat Selitë dhe Mollas në bashkinë Cërrik.
Ekipet e OSHEE-së po punojnë në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë. Emergjencat Civile të Prefekturës së Elbasanit vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë qarkun, duke mbetur në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm si pasojë e motit të paqëndrueshëm.
Ndërsa në Shkodër, janë paraqitur gjithashtu problematike.
1. Bashkia Shkodër,
* Situata në territorin e kësaj bashkie paraqitet pa probleme.
* Reshjet kanë vijuar gjatë natës me intensitet mesatar, por deri tani nuk është evidentuar asnjë problem.
2. Bashkia Vau Dejës,
* Vijojnë reshjet e shiut me intensitet mesatar.
* Nuk raportohen probleme në përronj, ura apo në rrjetin rrugor.
* Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht.
3. Bashkia Malësi e Madhe,
* Reshje me intensitet Gjatë 24 orëve të fundit ka patur reshje shiu me intesitet të ulët.
* Nuk raportohen problematika të emergjencave civile.
4. Bashkia Fushë-Arrëz,
* Vijojnë reshjet e shiut me intensitet mesatar.
* Ka shkarje dherash, gurësh dhe vërshime uji në rrugët rurale, duke vështirësuar qarkullimin.
* Ka ndërprerje të shkurtra të energjisë elektrike në disa fshatra.
5. Bashkia Pukë,
* Vijojnë reshje shiu me intensitet mesatar.
* Ka dëmtime në disa rrugë rurale në Njad Gjegjan dhe Luf-Qerret, rrëshqitje trupash rrugë dhe shembje skarpatash.
6. DRV Shkodër,
* Akset rrugire nacionale të administruara nga kjo drejtori paraqiten të kalueshme.
* Reshjet vijojnë, por nuk ka probleme me qarkullimin rrugor.
7. Druk Lezhë,
* Reshjet kanë vijuar gjatë natës me intensitet mesatar.
* Nuk raportohen probleme në funksionimin e kanaleve të kullimit, argjinaturave, dhe digës së Rezervuarit të Shtodrit.
* Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe prurjet në përrenjtë kryesorë janë nën kuotat e riskut.
* Hidrovoret e Velipojës (Vilu dhe Cas) janë në gatishmëri dhe punojnë normalisht.

Vijojnë ende reshjet e dendura të shiut, teksa janë paraqitur problematika në disa zona në vend.
Në Bashkinë e Fushë Arrëzit raportohet për rrëshqitje dherash, gurësh dhe vërshime uji në rrugët rurale, duke vështirësuar qarkullimin. Gjithashtu ka ndërprerje të shkurtra të energjisë elektrike në disa fshatra.
Problemtika paraqiten edhe në Bashkinë Pukë, ku raportohet për dëmtime në disa rrugë rurale në Njad Gjegjan dhe Luf-Qerret dhe shembje skarpatash.

Situata vijon të jetë problematike nga moti i keq në Vlorë. Lumi Vjosa ka arritur në kuotën maksimale dhe ka dalë nga shtrati në pjesën e tregut pranë Urës së Mifolit. Rrezikohen që të përmbyten tokat bujqësore.
Ndërkohë, situata në qarkun e Fierit paraqitet jo problematike sa i përket reshjeve të rëna gjatë natës, të cilat kanë qenë intensive. Sipas informacioneve nga Prefektura e Fierit, ka një shtim të prurjeve në Përmet e Memaliaj, që mund të reflektohen gjatë mesditës në zonën e Fierit.
Vjosa rrezikon që të dalë nga shtrati drejt tokave bujqësore, ndërkohë sa i përket akseve rrugore, janë të pakalueshme dhe pa problematika.

Banorët e zonës se Mylte në Tale raportojnë se niveli i ujit është rritur ndjeshëm gjatë orëve të fundit, duke dalë nga këneta dhe duke përmbytur disa rrugë, oborre dhe sipërfaqe bujqësore.
Sipas banorëve, problemi ka nisur pas çarjes së argjinaturës së kanalit kryesor, e cila shërben si mbrojtje për zonën e banuar. Çarja dyshohet të ketë lejuar depërtimin e menjëhershëm të prurjeve të mëdha të ujit, duke e vënë komunitetin në rrezik.
Banorët thonë se uji po shtohet me shpejtësi dhe kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile, ndërsa shprehen të shqetësuar për mundësinë e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.
Lini një Përgjigje