TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES19 Nëntor 2025, 15:05

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier; probleme me energjinë dhe qarkullimin në Lezhë, Dibër e Kukës

Shkruar nga Pamfleti
6 MUAJ ME PARE

Moti i keq, Ministria e Mbrojtjes tregon si paraqitet situata; qarqet më problematike

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Prej orësh strukturat vendore dhe ato të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë, në ndjekje të situatës së krijuar nga reshjet e shiut që kanë vijuar në pothuajse të gjithë territorin e vendit.

Ministria e Mbrojtjes raporton se si paraqitet situata në qarqet më problematike të vendit.

Situata sipas qarqeve:

Qarku Lezhë – Vijon puna për normalizimin e situatës në, fshatrat Gjorm, Zhejë, Fushë Mamurras, njësia administrative Mamurras, bashkia Kurbin dhe në njësitë ku për shkak të reshjeve të djeshme janë evidentuar probleme. Punonjësit në terren po monitorojnë situatën në fshatin Jezull, Njësia Administrative Rrëshen, në fshatin Kodër Rrëshen, ku nga rrëshqitja r tokës rrezikohet një banesë. Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave.

Qarku Durrës – Situata në njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm, drejt normalizimit, ujërat janë tërhequr nga zonat e prekura. Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale. Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Qarku Kukës – Situata është nën monitorim të plotë nga autoritetet vendore dhe subjektet kontraktore, të cilat kanë bërë pastrimin e të gjitha akseve rrugore nacionale, duke garantuar aksesin e tyre për automjetet

Qarku Shkodër – Pas një pune të palodhur të forcave në terren është zhbllokuat rruga në segmentin Theth- Ndërlysaj në njësinë administrative Shalë.  Po punohet gjithashtu edhe në segmentin Ndërlysaj- Breg-Lumi.

Qarku Vlorë – Bashkia Delvinë: Në Kalasë dhe Bistricë lumenjtë janë tërhequr në shtrat, duke liruar rrugën nga uji. Tashmë qarkullimi është i normalizuar në Shelegar dhe Krane. Në fshatin Dermish, bashkia Finiq u krye evakuim i dy të moshuarve për shkak të pranisë së ujit në banesë. Kompania kontraktore po punon për pastrimin e rrugës Brataj-Kuç, në fshatin Brataj, bashkia Selenicë. Në bashkinë Vlorë janë nisur për mbështetje 12 efektivë nga FA, 4 motopompa dhe 1 gomone.

Qarku Fier – Referuar të dhënave mbi prurjet e lumit Vjosë, në pik matjet Përmet – Memaliaj, konstatohet një shtim me intensitet të shpejtë i prurjeve në lumin Vjosë, në pikëmatjen e Urës së Mifolit. Ndaj është rritur gatishmëria e strukturave operacionale për menaxhimin e çdo situate të mundshme. Pranë pikave kritike, janë vendosur mjete te tonazhit të rëndë, 5 skrepa/fadroma dhe mjete të larta transporti.

Qarku Elbasan – Vijojnë punimet për pastrimin e inerteve në segmentin rrugor Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur “Murraç” dhe në segmentin  Elbasan-Librazhd. Në fshatin Kerpicë të nj.adm. Kushovë, bashkia Gramsh po monitorohet situata në lumin e Kerpicës rrezikon të dalë nga shtrati lumi i Kërpicës, duke krijuar mbrojtje për 8 banesa që mund të rrezikohen nga ujërat e lumit.

Qarku Berat – Rreth 20 hektarë parcela me ullishte në lagjet “Lopari” dhe “Selamaj”, në fshatin Veterrik, njësia administrative Velabisht, Bashkia Berat kanë prani të ujit, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Osum.

Qarku Korçë – Në fshatin Sanjollas, njësia administrative Barmash, bashkia Kolonjë u normalizua situata, me zhbllokimin e tombinove dhe pastrimin e inerteve u shmang rreziku për banesat.

Qarku Gjirokastër – Në rrugët urbane te qytetit ka prezencë të ujit, por pa shkaktuar bllokime të trafikut. Liqeni i Viroit po i afrohet pikës kritike, por po mbahet në monitorim. Në njësinë adm. Lazarat, fshati Lazarat, në lagjen e poshtme të fshatit ka vërshim të ujërave nga përroi që zbret nga mali i Sopotit si dhe në Kordhoce në aksin rrugor Gjirokastër- Kakavijë ka prezencë të shtuar të ujit. Po punohet nga ekipet në terren. Në aksin Gjirokastër-Valare ka prezencë të ujit në vendin e quajtur Aznak, ku kalueshmëria bëhet vetëm me mjete të larta.  Në bashkinë Libohovë problematik mbetet bllokimi i aksit rrugor Suhë-Poliçan, në vendin e quajtur Shkëmbi Dallëndyshes. Gjithashtu përroi i fshatit Labovë ka shtuar prurjet. Në terren po punojnë forcat bashkiake.

Qarku Dibër – Në të gjithë qarkun është punuar për të stabilizuar situatën e krijuar nga reshjet e shumta, veçanërisht në njësinë administrative Zall-Dardhë, në njësinë administrative Luzni, për shkak të prurjeve të përroit të Kusares, në njësinë administrative Tomin fshati Zdojan, në Arras, në fshatin Ketë të njësisë Xibër, në fshatin Bershi në Klos, në fshatin Kujtim, në fshatin Kurdari etj., ku ka pasur probleme me rrugët. Në bashkinë Mat po punohet për largunin e ujit në katet e para të shkollave; “Mustafa Gjestila” dhe “28 Nëntori” si edhe në disa banesa. Puna vijon në Fushë Baz, lagja “Nelaj” ku prurjet e përroit kanë bllokuar rrugët. Nga ana e bashkisë Mat janë vënë në dispozicion 2 mjete zjarrfikëse, 3 fadroma dhe 5 mjete transporti gjithashtu mbi 40 forca të bashkisë për menaxhimin e situatës. Akset e rrugëve nacionale janë të kalueshme në normalitet.

6 MUAJ ME PARE

Përmbytje në Mirditë, fryrja e përrenjve dëmton ura dhe rrugë; 10 fshatra të bllokuar

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Reshjet e dendura në Mirditë kanë sjellë fryrje të përrenjve malorë, duke dëmtuar ura, rrugë dhe duke izoluar rreth 10 fshatra.

Situata më problematike paraqitet në Jezull, ndërsa banorët janë bllokuar pas shembjes së urës kryesore.

Kryebashkiaku Albert Melyshi dhe prefekti Taulant Malshi inspektuan zonën, duke theksuar se dëmet janë të mëdha dhe tej kapaciteteve të bashkisë, ndaj kërkohet ndihmë urgjente nga strukturat qendrore.

Përpos dëmeve rrugore, situata e ujësjellësit të qytetit mbetet kritike, pasi përroi i Tarazhit rrezikon tubacionet kryesore. Në një mbledhje të posaçme u vendos gatishmëri e plotë për ndërhyrje në zonat e izoluara, me prioritet sigurinë e banorëve.

6 MUAJ ME PARE

Reshjet e dendura të shiut, shembet ura që lidh tre fshatrat në Delvinë; bllokohen banorët

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Në Delvinë është shembur ura që lidh fshatrat Kakodhiq, Lefterhor dhe Varfaj me qytetin e Delvinës dhe me Sarandën, duke izoluar plotësisht banorët e këtyre tre komuniteteve.

Sipas informacioneve, një tombino e shembur pranë urës ka shkaktuar dëmtime serioze në strukturën e saj, duke bërë që rruga të bëhet totalisht e pakalueshme.

Momentalisht, banorët nuk kanë asnjë akses rrugor drejt qendrave më të afërta, ndërsa pritet ndërhyrja e autoriteteve për të vlerësuar dëmin dhe për të rikthyer sa më shpejt lëvizshmërinë në zonë.

 

6 MUAJ ME PARE

Moti i keq sjell probleme në Qarkun Korçë, përmbytje në disa zona

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Reshjet intensive gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar një sërë problemesh në qarkun e Korçës, duke vënë në veprim strukturat vendore, emergjencat civile dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës. Sipas raportimeve nga terreni, më shumë se pesë bashki janë përballur me përmbytje lokale, dëmtime të infrastrukturës rrugore dhe rritje të rrezikshme të niveleve ujore në lumenj e rezervuarë.

Në Bashkinë Pustec, dalja e ujit në segmentin rrugor Lajthizë–Liqenas solli vështirësi në qarkullim, por ndërhyrja e ekipeve të shërbimit ka ndihmuar në normalizimin e situatës. Ndërkohë, në Pogradec, fshati Gështenjas regjistroi pengesa serioze në kanalizime, ku po punohet për orientimin e ujërave të shiut. OSHEE raportoi defekte në disa fshatra, përfshirë Slatinë, Selihtë dhe Shpellë, me ekipet në terren për rikthimin e energjisë elektrike.

Situata paraqitet më problematike në Devoll, ku në fshatin Çetë është bllokuar qarkullimi mbi urë për shkak të rrezikshmërisë së shtuar. Ndërkohë në Cangonj, prania e ujit në oborret e dy banesave ka kërkuar ndërhyrje emergjente për largimin e tij.

Në Korçë, aksi Denas–Lekas rezulton i pakalueshëm pasi prurjet e larta të një përrua pa urë e bënë rrugën të rrezikshme. Voskopojë është një tjetër zonë nën vëzhgim, pasi ujëmbledhësi lokal ka arritur nivele të larta, por ndërhyrjet me mjetet e rënda po e stabilizojnë situatën.

Edhe Kolonja është përballur me sfida të shumta. Rritja e prurjeve në lumin e fshatit Mesiçkë ka rrezikuar urën dhe shtylla të energjisë elektrike. Probleme të ngjashme janë raportuar në fshatin Mollas, ndërsa rezervuari i Rotit ka arritur vetëm 20–30 cm nën nivelin maksimal, duke detyruar hapjen e shkarkuesve. Ndërhyrjet janë duke vazhduar në disa fshatra të zonës, ndërsa disa akse rrugore janë pastruar dhe janë të kalueshme.

ARRSH njofton se në akset Maliq-Lozhan, Ersekë–Leskovik dhe Qafa e Qarrit–Ersekë, punimet për pastrimin dhe sistemimin e ujërave vijojnë me intensitet.

Megjithë këto probleme, autoritetet konfirmojnë se deri në këto momente nuk ka situata që rrezikojnë jetën e banorëve, por shumë zona mbeten nën monitorim të vazhdueshëm për shkak të prurjeve të larta dhe reshjeve që pritet të vijojnë. 

6 MUAJ ME PARE

Rrezikohen të përmbyten tokat bujqësore në Fier, banorët të panikosur: Do na duheshin dy vite të marrim veten!

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Prurjet e lumit Vjosa në fshatin Kashisht në Fier, kanë arritur në pikën kritike.

Sipas banorëve nga mëngjesi i sotëm e deri në mesditë niveli është rritur mbi 1 metër duke u kthyer në rrezik real për përmbytjen e tokave bujqësore.

Me këtë intensitet prurjesh rreziku për të dal nga shtrati është tepër i madh thonë ata, ndërsa theksojnë se një nivel të tillë prurjesh nuk e kanë parë prej 4 vitesh.

“Jemi të frikësuar”, thonë banorët pasi lumi ka vite që nuk ka shkaktuar probleme në zonë, teksa janë duke monitoruar të alarmuar orë pas ore situatën. Ndërkohë vendimtare mbeten orët e pasdites ku pritet të ketë reshje me intensitet të lartë dhe prurje të mëdha që mund të krijojnë situata problematike.

Sipas administratorit të njësisë administrative Frakull, Emiljano Braka, banorët janë njoftuar që në orët e para të mëngjesit, për rrezikun e përmbytjeve ndërsa ka theksuar se nëse lumi do të dilte nga shtrati , dëmet që do tu shkaktoheshin fermerëve do të ishin kolosale.

Ndërkohë fermerët janë duke monitoruar të alarmuar situatën në terren. Një prej tyre pohon se Vjosa nëse del nga shtrati është një përbindësh i vërtetë.

“Ne kemi përvojë të hidhur nga përmbytjet e mëparshme thotë ai, ku jo vetëm u dëmtua, por as nuk u dëmshpërblyem asnjëherë. I lutemi Zotit të mos ketë përmbytje, pasi do na duheshin dy vite të marrim veten”, shprehet një nga banorët.

6 MUAJ ME PARE

Reshjet e shiut shkaktojnë rrëshqitje dherash në Librazhd

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Pas reshjeve të dendura që prekën territorin e Bashkisë Librazhd, ekipet e OSSH-Librazhd dhe shërbimet publike të bashkisë kanë ndërhyrë për normalizimin e situatës.

Sipas informacioneve zyrtare, energjia elektrike është rikthyer në pjesën më të madhe të zonave të prekura, ndërsa grupet e punës po vijojnë punën për furnizimin e plotë me energji në të gjithë bashkinë.

Paralelisht, po kryhen pastrime dhe zhbllokime të akseve rrugore ku reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe pengesa në qarkullim, me qëllim rikthimin e lëvizjes normale për banorët.

Autoritetet njoftojnë se situata është drejt stabilizimit dhe se po monitorohet nga afër deri në rikthimin e plotë të normalitetit.

 

6 MUAJ ME PARE

Moti i keq, ndërpritet furnizimi me ujë në qytetin e Sarandës

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;
Ndërpritet furnizimi me ujë në qytetin e Sarandës

Ndërpritet furnizimi me ujë i qytetit të Sarandës.

Ujësjellës Kanalizime Sarandë njofton se shkak për ndërprerjen është turbullimi i ujit në burimet e Navaricës dhe të puseve në fushën e Vrionit.

Ndërprerja e furnizimit me ujë do të vazhdojë deri në normalizimin e situatës.

Ndërkohë, sipas informacioneve më të fundit, në Bashkinë Delvinë deri tani rrugët janë të bllokuara nga prurjet e shumta. Për këtë punohet me tre skrepa për t’i sjellë në normalitet. Rrugët më problematike në qytet u hapën. Sakaq, është e pakalueshme rruga për në Lefterohor, Kakodhiq dhe Varfaj, ku edhe atje punohet për hapjen e saj.

Rruga Fushvëri-Kalasë kalohet me shumë vështirësi, ku rrezikohet nga përroi i Gutinës, pasi ka dalë nga shtrati dhe rrezikon të prishë rrugën në rreth 1 km.

Lumi i Kalasës ka dalë nga shtrati dhe ka filluar dhe gërryen fushat e fshatrave Kalasë, Fushvërri, Vergo, Kopaçez, Palavli, Bajkaj, Vanë dhe Blerimas. Problem shqetësues është edhe lumi i Vrizit në Delvinë, ku ka filluar dhe gërryen fushat e Bamatatit, Stjarit dhe ka prishur rrugën Stjar-Bajkaj.

Në Delvinë, 3 shtëpi janë përmbytur dhe për rrjedhojë është bërë evakuimi i banorëve. 

6 MUAJ ME PARE

Frikë nga përmbytjet në Vlorë, banorët bllokojnë dyert me thasë rëre

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Moti i keq në vendin tonë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa qytete.

Lagjja e vjetër “Muradie”, e rikonstruktuar kohët e fundit si pjesë e projektit “Vlora e Vjetër Historike”, është mbyllur totalisht për shkak të frikës nga përmbytjet.

Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë shtuar panikun tek bizneset, të cilët ndodhen në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.

Dhjetra dyqane dhe lokale kanë ulur qepenat, ndërsa administratorët janë vënë në lëvizje për të mbrojtur ambientet e tyre. Për të shmangur hyrjen e ujit, ata kanë përdorur gjithçka të mundshme: izolim me shkumë, materiale izolante rreth dyerve dhe vendosjen e thasëve me rërë në hyrje, si masë mbrojtëse ndaj vërshimit të mundshëm të ujërave.

Bizneset thonë se kjo është mënyra e vetme për të parandaluar dëmet, ndërsa presin me shqetësim zhvillimet e orëve në vijim.

6 MUAJ ME PARE

Përmbytjet në Delvinë, Ina Zhupa thirrje Qeverisë për ndërhyrje: Jo vetëm fatkeqësi natyrore, por edhe politike!

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;
Ina Zhupa

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka reaguar lidhur me situatën problematike nga moti i keq.

Zhupa ka publikuar një video nga situata e përmbytjeve sot në Delvinë, ku shprehet se situata është e vështirë teksa thekson se ka rrugë të bllokuara, ura të bllokuara dhë përmbytje të tokave bujqësore.

Deputetja demokrate i ka bërë thirrje Qeverisë për ndërhyrje emergjente. Ajo theksoi se kjo situatë nuk vjen vetëm si pasojë e fatkeqësisë natyrore, por edhe e fatkeqësisë politike, duke shtuar se paratë nuk janë investuar në kanalet kulluese dhe insfrastrukturën e qytetit.

"Rrugët janë të bllokuara, dëmet janë të shumta dhe ujërat e shiut kanë vërshuar në drejtim të banesave. Ura e Vanës vazhdon të jetë e bllokuar, rrugët e fshatrave të tërë janë të pakalueshme.

Kjo situatë kërkon ndërhyrje urgjente të shtetit.

Nuk është vetëm pjesë e fatkeqësisë natyrore por pjesë e fatkeqësisë politike, të parave që nuk shkojnë për investime në kanalet kulluese dhe në infrastrukturë të ujrave në qytete dhe fshatra por minimalisht të reagojnë në menaxhimin e emergjencës dhe të mbrojnë qytetarët", u shpreh deputetja demokrate. 

 

6 MUAJ ME PARE

Moti i keq në Lezhë, mbeten pa energji elektrike disa fshatra në Kurbin; probleme në aksin rrugor Rreshen-Bukmirë

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Moti i keq ka shkaktuar probleme në disa zona të qarkut Lezhë. Në bashkinë Kurbin, fshatrat Skuraj, Gallatë dhe Vinjollë kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të një dëmtimi të linjës përgjatë lumit Vinjollë.

Në Mamurras janë dislokuar 7 efektivë të Forcave të Armatosura me një varkë, për të qenë gati për ndërhyrje në raste evakuimi. Mësimi zhvillohet normalisht, me përjashtim të nxënësve të fshatit Shpërdhet, të cilët nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të dëmtimit të rrugës.

Në bashkinë Lezhë situata është përmirësuar pas ndërhyrjeve të strukturave bashkiake, të cilat punuan deri natën vonë dhe në mëngjes për pastrimin e ujërave të mbledhura në oborrin e shkollës “Nënë Tereza”. Puna vazhdon me pastrimin e rrugëve dhe pusetave. Familjet e evakuuara janë sistemuar në konviktin e shkollës “Kolin Gjoka”, ku Kryqi i Kuq do t’u ofrojë ndihma ushqimore.

Në bashkinë Mirditë, problem kryesor mbetet aksi rrugor Rrëshen–Bukmirë, ku ka rënie gurësh dhe gërryerje të bazamentit. Edhe akset rurale janë dëmtuar nga dalja e përrenjve malorë, ndërsa në zonat Kaçinar dhe Fan disa ura automobilistike dhe ura pasarela janë dëmtuar dhe po mbahen nën monitorim deri në qetësimin e situatës për të nisur riparimet. Në fshatin Tarazh ka pasur dalje të përroit në tokat bujqësore, ndërsa në fshatin Jezull janë dëmtuar dërrasat e një ure tip Bejli. Në këtë bashki nuk ka probleme me furnizimin me energji.

Sa i takon lumenjve, niveli i Drinit është ulur me rreth 50 centimetra nga mbrëmja e djeshme dhe aktualisht qëndron në kuotën 1.10 metra. Lumi Mat nuk paraqet probleme, ndërsa lumi Drojë vazhdon të jetë në kuota të larta për shkak të reshjeve të natës.

6 MUAJ ME PARE

Moti i keq/ Lumi i Kalasës del nga shtrati, vështirësohet qarkullimi në rrugën Sarandë-Delvinë

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë bërë që lumi i Kalasës të dalë nga shtrati në zonën e Shijanit, duke krijuar probleme serioze në qarkullimin automobilistik përgjatë aksit Sarandë–Delvinë, si edhe në drejtim të Kardhiqit.

Prurjet e mëdha të ujit kanë përmbytur një segment të rrugës, duke ngadalësuar ndjeshëm trafikun dhe duke rritur rrezikun për drejtuesit e mjeteve.

Shërbimet e emergjencave dhe autoritetet lokale ndodhen në terren, duke monitoruar situatën dhe duke marrë masa për të garantuar kalueshmërinë e aksit.

Burime nga zona raportojnë se situata mbetet dinamike, pasi reshjet vijojnë me intensitet të lartë dhe prurjet e lumit rriten nga momenti në moment. Qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave të sigurisë.

6 MUAJ ME PARE

Moti i keq, si paraqitet situata në qarqet e vendit 

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Gjatë natës, të gjitha strukturat vendore dhe ekipet operacionale kanë vijuar punën në terren për normalizimin e situatës në zonat e prekura nga moti i keq, për sigurimin e akseve rrugore dhe për rikthimin e energjisë elektrike.

Situata sipas Qarqeve

Qarku Lezhë
Vijon puna për normalizimin e situatës në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Fushë Mamurras në njësinë administrative Mamurras, bashkia Kurbin.
Rruga në fshatin Shpërtheth mbetet e dëmtuar nga ujërat e lumit Droje, por po punohet nga forcat në terren.
Gjithashtu po vijon puna për sigurimin e kalueshmërisë në segmentin rrugor Skuraj–Gallatë, njësia administrative Milot, por edhe në njësinë administrative Kaçinar, ku ura në fshatin Shpërdhezë u dëmtua nga reshjet me intensitet.

Qarku Durrës
Situata në njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm është drejt normalizimit, ujërat janë tërhequr nga zonat e prekura.
Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.
Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Qarku Kukës
Të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme.

Qarku Shkodër
Është zhbllokuar segmenti rrugor Theth–Ndërlysaj në njësinë administrative Shalë.
Mbetet i bllokuar segmenti Ndërlysaj–Breg-Lumi, ku punimet do të vijojnë gjatë ditës së sotme.

Qarku Gjirokastër
Aksi rrugor Sofratikë–Libohovë është kthyer në normalitet.
Aktualisht ka prani të shtuar ujërash në segmentin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin e urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës.

Qarku Elbasan
Vijojnë punimet për pastrimin e inerteve në segmentin rrugor Elbasan–Peqin, në vendin e quajtur “Murraç”, si dhe në segmentin Elbasan–Librazhd.

Qarku Korçë
Në fshatin Sanjollas, njësia administrative Barmash, bashkia Kolonjë, situata është normalizuar falë zhbllokimit të tombinove dhe pastrimit të inerteve, duke u shmangur rreziku për banesat.

Situata energjitike

Ekipet e OSHEEE po vijojnë punën për rikthimin e furnizimit me energji
-në fshatrat Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë, në qarkun e Lezhës
– në njësitë administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Bytyç dhe Lekbibaj në qarkun e Kukësit
– Në njësitë administrative Hajmel dhe Vig–Mnelë (bashkia Vau-Dejës), si dhe në Iballë dhe Qafë-Mali (bashkia Fushë-Arrëz) në qarkun e Shkodrës
– Në zonën Maricaj, Memaliaj, në qarkun e Gjirokastrës

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë dhe në kontakt të pandërprerë me strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave, për marrjen e masave në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.

6 MUAJ ME PARE

Shqipëria nën pushtetin e ujit, Lajda Porja: Rrebeshet vazhdojnë edhe sot, lajmi i mirë vjen nesër!

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;
Meteorologia Lajda Porja 

Shqipëria është nën pushtetin e reshjeve intensive që nga dita e djeshme, të cilat sollën probleme dhe përmbytje në shumë zona të vendit. Në zonat rurale në veri si në Shkodër, Lezhë, Kurbin, Krujë, Shkodër, pati përmbytje të shumë banesave dhe u evakuuan disa familje.  

Problematike ishin edhe zona e Durrësit, Gjirokastrës dhe Vlorës.

Meteorologia Lajda Porja e ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” tha se reshjet dhe rrebesh do të vazhdojnë të jenë prezente edhe këtë të mërkurë, 19 nëntor, ku zonat e veriut mbeten përsëri më të ekspozuara. Sipas Porjas lajmi i mirë vjen ditën e nesërme, pasi do të ketë një rënie të intensitetit të reshjeve. Megjithatë dita e premte dhe fundjava sjellin përsëri përkeqësim të motit.

“Pritet që fatkeqësisht të reshjet të vazhdojnë sërish në zonat më problematike si Lezha, Kruja, Durrësi, Shkodra… Veriu do të mbetet me reshje intensive, më pak qendra, kurse në jug nuk do të kemi shumë reshje intensive përjashtuar Gjirokastrën, ku do të ketë një celulë në pjesën e dytë të ditës, ku do të ketë rrebeshe. Dita e sotme, 19 nëntor, kështu do të jetë me rrebeshe, më të shpeshta dhe më të dendura në veri të vendit, më të rralla në qendër dhe në jug të vendit. Megjithatë herë pas here do të kemi erë të fuqishme.

Ka një lajm të mirë, dita e nesërme, pasi do të kemi një rënie të intensitetit të reshje, kjo për të krijuar dhe një hapësirë dhe mundësi për të tërhequr ujin në të gjitha zonat ku është raportuar për probleme. Reshjet kanë qenë shumë të dendura në veri, në zonat e thella ka rënë mbi 200 milimetra. Është një sasi shumë e konsiderueshme, e cila është në fakt një sasi mujore. Parashikohet që e enjtja dhe pjesërisht dita e premte të vazhdojë intensitetin.

Pasditen e së premtes dhe të shtunën do të kemi sërish vrenjtësira dhe reshje me intensitet mesatar dhe lokalisht intensiv. Me reshjet që do të kemi të premten dhe të shtunën do të ketë edhe më shumë sasi të reshjeve. Është dhënë që mesin e javës së kaluar që ky fenomen do të ndodhte. Epiqendra ishte në Malin e Zi dhe u spostua në veri të vendit”, tha Porja.



6 MUAJ ME PARE

Moti i keq/ Ujërat vërshojnë në Delvinë, izolohen banorët në 2 fshtra 

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Moti i keq ka shkaktuar problematika në jug. Në Delvinë, situata paraqitet problematike. Ujërat nga reshjet e dendura të shiut kanë vërshuar si "lumë", siç shihet nga pamjet janë shkaktuar dëme në banesa. Banorët e fshatit Vanë dhe të lagjes Xhermëhallë janë izoluar.  

Në qytetin e Gjirokastrës, ka probleme me furnizimin me energji elektrike që prej mbrëmjes së djeshme.

Situatë problematike paraqitet edhe në njësitë administrative të Lopësit, Kurveleshit në Tepelenë, Krahësit, Luftinjës e Qesaratit në Memaliaj, të Zagorisë, Picarit, Lazaratit, Dropullit e Lunxherisë në Gjirokaster, të cilët prej 12 orësh nuk kanë energji elektrike. 

Grupet e OSHEE ndodhen në terren për të riparuar defektet që kanë shkaktuar shkarkesat atmosferike në sistemin e shpërndarjes.

6 MUAJ ME PARE

Moti i keq në Kukës, dëmtohet ura që lidh dy fshatra; probleme me energjinë elektrike në disa zona

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

I gjithë territori i qarkut Kukës vijon të jetë i përfshirë nga reshjet e shiut me intensitet të ulët deri në mesatar.

Si rezultat i reshjeve, rrugët nacionale vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve dhe vërshimit të ujrave. Ndërsa, në tre njësi ka probleme me energjinë elektrike.

Aktualisht të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme. Nga bashkitë Kukës, Tropojë nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente deri në këto momente.

Ndërsa në bashkinë Has gjatë natës ka patur dëmtim të një ure që lidh fshatin Dobrunë me fshatin Bardhosh.

6 MUAJ ME PARE

Gjirokastra pa drita, moti i keq dëmton rrjetin e shpërndarjes

Sipas parashikimeve meteorologjike, ashtu si ditën e djeshme, edhe sot pritet një përkeqësim i motit me reshje të forta dhe stuhish, veçanërisht në zonat veriore dhe bregdetare.

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;
Moti i keq dëmton rrjetin energjetik

Dhjetëra fshatra në qarkun e Gjirokastrës po vuajnë mungesën e energjisë elektrike, si pasojë e problemeve të shkaktuara nga moti i keq, i cili ka krijuar anomali në sistemin e shpërndarjes së energjisë në shumë zona, kryesisht ato malore.

Burime nga OSHEE konfirmojnë se kushtet atmosferike kanë shkaktuar dëme në fiderat që lidhin fshatrat me rrjetin energjetik.

Mungesa e energjisë nuk ka kursyer as qytetin e Gjirokastrës, ku në orët e mbrëmjes dhe deri sot ka pasur ndërprerje të energjisë në lagjet e sipërme.

Ndërkohë, situata paraqitet problematike dhe pa energji elektrike për më shumë se 12 orë në njësitë administrative të Lopësit dhe Kurveleshit në Tepelenë; të Krahesit, Luftinjës dhe Qesaratit në Memaliaj; si edhe të Zagorisë, Picarit, Lazaratit, Dropullit dhe Lunxhërisë në Gjirokastër.

Grupet e OSHEE ndodhen në terren për të rikuperuar dëmet e shumta që kanë shkaktuar shkarkesat atmosferike në sistemin e shpërndarjes. 

Gjithashtu në qarkun e Kukësit ka pasur probleme me energjinë elektike.

Sipas parashikimeve meteorologjike, ashtu si ditën e djeshme, edhe sot pritet një përkeqësim i motit me reshje të forta dhe stuhish, veçanërisht në zonat veriore dhe bregdetare.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet pritet të jenë të intensitetit të lartë, ndërsa në qarqe të tjera priten reshje më të moderuara. Në zona mbi 400 metra lartësi, reshjet mund të vijnë në formë bore, me rrezik ngricash dhe vështirësi në trafikun rrugor.

Gjatë ditës, temperaturat mesatare pritet të arrijnë rreth 16 gradë Celsius. Në mbrëmje, temperaturat bien ndjeshëm.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes i kanë bërë vazhdimisht apel dy ditët e fundit qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në zonat malore dhe bregdetare ku rreziku i rrëshqitjeve apo përmbytjeve është më i madh.

Për ata që planifikojnë lëvizje me makinë, veçanërisht në rrugët malore, paralajmërohet shmangia e zonave me akumulim uji ose rrëshqitje dherash.

 

6 MUAJ ME PARE

Moti i keq, bllokime rrugësh dhe mungesë energjie në Dibër

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;

Vazhdon të jetë situatë problematike nga reshjet në Qarkun e Dibrës.

Gjatë natës së mbrëmshme ka pasur reshje dhe stuhi ku ka krijuar probleme në rrugën nacionale Skuraj–Burrel, por më shumë probleme ka pasur në Shkopet, që më tepër se 3 orë rruga ka qenë e bllokuar pasi inertë dhe gurë janë shembur nga shpati i malit. Punonjësit e firmës kanë punuar gjatë gjithë natës për të larguar inertët dhe gurët nga rruga.

Raportohen probleme edhe në rrugët rurale të Qarkut të Dibrës ku ka pasur rrëshkitje rruge, rrugë të bllokuara ka pasur dhe mungesë të energjisë elektrike në disa njësi të qarkut si Baz, Ulëz etj. Pritet të mblidhet Shtabi i Emergjencave pranë prefekturës për të dalë në terren dhe për të monitoruar situatën.

Në këto momente që po flasim, reshjet e shiut janë në formë cikloni, lumenjtë dhe përrenjtë kanë dalë nga shtrati dhe kanë përmbysur banesa dhe toka bujqësore.

6 MUAJ ME PARE

Rrebeshe dhe shtrëngata, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak zbulon si do të jetë moti për sot

Moti i keq/ Përmbytje në Korçë, Sarandë dhe Fier;
Parashikimi i motit

Sot vendi ynë do të vazhdojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet i vranët. Reshjet e shiut parashikohen të jenë të pranishme që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të vendit, me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër priten reshje shiu me intensitet deri të lartë.

Hera-herës do të ketë reshje shiu në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Pas orëve të mesditës deri në orët e mbrëmjes reshjet e shiut priten të jenë me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit, hera-herës shoqëruar me shtrëngata afatshkurtra. Në verilindje në lartësinë mbi 1500 metra priten reshje bore me intensitet të ulët.


Era parashikohet me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut, me shpejtësi mesatare deri në 7 m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave fiton shpejtësi deri 18 m/sek.

Valëzimi në dete do të jetë i lartë, i forcës 4-5 ballë.

Lini një Përgjigje