
Analisti Frrok Çupi ka folur për thirrjen në SPAK të kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, për aferën “CEZ-DIA”, që i kushtoi vendit 414 milionë euro dëm. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Çupi zbulon se Ilir Metës iu vunë para prova që ai mendonte se i kishte groposur, njësoj siç “groposi” ambasadorin Qazim Tepshi dhe këshilltarin Eduart Belegu. Gjithashtu analisti i njohur shprehet se dëshmitë për Ilir Metën dhe Shkëlzen Berishën po vijnë nga vendet perëndimore ku janë strehuar dëshmitarët kyç dhe ku ndodhën arkivat, përgjimet, gjurmët e gishtave.
-Zoti Çupi, Ilir Meta u thërrit në SPAK për të dëshmuar për aferën “CEZ-DIA”, ku akuzohet se është përfshirë. Si e shikon këtë zhvillim dhe a ka sipas jush prova që implikojnë kreun e PL në këtë skandal?
Po ndodhin zhvillime të rëndësishme dhe përparuese për vendin. Pas kësaj që ndodhi me Ilir Metën në SPAK, dhe pas asaj që ndodhi pak ditë më parë po në SPAK me Shkëlzen Berishën, mund të themi se akrepat e sahatit të shekullit nisën të punojnë në favor të kohës së popullit. Prej 30 vjetësh populli ynë ndodhej nën pushtimin e krimit dhe grabitjes, vrasjeve dhe tallavasë së dy familjeve: Berisha dhe Meta. Nuk po flas thjesht për familjet biologjike që janë kthyer në mostra, por edhe për familjen e ngushtë klanore që këta e kanë piramidë mafioze të emërtuar si ‘politike’. Nuk e di se sa pjesë nga malli i vjedhur prej Berishës dhe Metës do t’i kthehen thesarit të shtetit, por një gjë po ndodh, ose ndodhi: Këta të dy, më të rrezikshmit e kohërave, janë vënë përfund popullit. Deri ditën kur në derën e SPAK u paraqit ‘sy- peshkaqeni’ i romaneve amerikane dhe një nga monstrat e familjes kriminale, Shkëlzen Berisha..., deri atë ditë populli ishte përfund fytyrave të korrupsionit dhe krimit. Populli po jepte shpirt. Tashmë ishte fundi. Populli kishte humbur në xhepat e dy familjeve rreth 8 miliardë dollarë, kishte humbur 3000 jetë njerëzore, kishte humbur të drejtën për të ndërtuara shtet modern, kishte humbur lirinë për të pasur një vend qytetës dhe ja tani! A shpëtuam? Nuk mund të them se ‘shpëtuam përfundimisht!’. Jo se këta do të mund të ngjallen më e të na vjedhin dhe vrasin; por sepse na duhet shumë kohë për ta marrë veten pas traumës. Këta kanë infektuar shoqërinë dhe individin, e kanë shtyrë njeriun në mëkatin e vjedhjes dhe të padrejtësisë, kanë ngritur një sistem të tërë skllavërie prej vjedhjes e korrupsionit.
Këta nuk e pranojnë Drejtësinë, këta e quajnë Drejtësinë e re një ‘parti’. Këta e quajnë Amerikën ‘një zhele’ që mund ta marrin zvarrë. Pa Amerikën populli shqiptar do të vuante shumë dekada nën pisllëkun e këtyre. Botës së qytetëruar iu desh të mblidhte mijëra prova nëpër katakombet e krimit Berisha- Meta, që një ditë (si kjo ditë që erdhi) t’i paraqesë në gjyqin ndaj tyre. Berisha- Meta janë binom i fatkeqësisë së vendit tonë dhe krimit. E vini re çfarë ndodhi në SPAK? Ilir Metës iu vunë para prova që ai mendonte se i kishte groposur, siç u groposën bash për këtë arsye ambasadori Qazim Tepshi dhe këshilltari Eduart Belegu. E vini re një gjë: Dëshmitë po vijnë nga vendet perëndimore ku janë strehuar dëshmitarët kyç dhe ku ndodhën arkivat, përgjimet, gjurmët e gishtave, putrat e krimit të tyre! Perëndimi po i del në krah popullit tonë edhe në rastin e dy të tmerrshmëve të krimit shqiptar: Berisha e Meta. Sikur ato dëshmi të ndodheshin në Shqipëri, këta do t’i digjnin me acid e nuk do të shiheshin kurrë. Kur SPAK paraqiti disa prova para Metës, e dini çfarë ndodhi? Ndodhi që provat ishin sa për Metën edhe për Berishën. Këta janë një çift kriminal. Presim e shikojmë... Por një gjë ‘gia’ ka ndodhur: Sensi i fuqisë i ka kaluar popullit përballë dhunuesve të tij.
-Në Kuvend diskutohet nisma që bashkon PS dhe fraksionin Alibeaj për hapjen e dosjeve, mendoni se ka fakte që implikojnë Ilir Metën me ish-Sigurimin e Shtetit?
Ilir Metës çdo ditë i dalin spiunimet dhe krimet, i dalin prej hundës së tij. E di se dikur prindi i thoshte fëmijës ‘mos gënje bir, se gënjeshtra të duket në hundë’. Ja, kështu. Ilir Meta, sa hap gojën dëshmon një spiunllëk, një katillëk, një varfëri mendore, një ligësi... E dëgjuat sot si thoshte për një zonjë ish ministre e PS, që ky paska dashur ta bëjë ambasadore? E tregon tamam si spiun. ‘I thashë se unë dua të të bëj ambasadore, por nuk do ai, ruaju nga Rama’. Një spiun i ulët. Ilir Meta bën jo vetëm spiunin e hajdutin, Ilir Meta bën atë që nuk bën njeriu. Duhet izoluar sa më shpejt. Shteti e ka këtë detyrë.
-Mendoni se rrezikohen të tjerë zyrtarë të lartë me dosje spiuni që të përjashtohen nga sistemi me ndryshimet e reja që po diskutohen nga PS dhe PD? A rrezikon Sali Berisha?
Sigurisht që ka disa zyrtarë të tjerë që kanë shërbyer Sigurimin e Shtetit. Sigurisht që do të veprojë ligji. Po sa vlera ka kjo për njerëz që janë në punë të tyre?! Rëndësi ka që si Meta i shpallur, ashtu edhe Berisha i përfolur në mënyrë të besueshme si agjent i vendeve armike, të dy i kanë shkaktuar vendit tonë humbje të mëdha në kohë, humbje në ekonomi, humbje në njerëz, humbje në pasuri. Ishin vënë në krye të shtetit; qytetarët duhet t’i vënë gishtin kokës kur zgjedhin. Pasi të burgosen këta të dy, kushedi sa punë ka për të pastruar ‘metastazat e kancerit’ Berisha- Meta. Do të duhen vite që kombi shqiptar të ulet, njësoj siç ulet amvisa para orizit, dhe të pastrojnë ‘orizin nga krimbat’. Ndryshe çorba Berisha- Meta do të qelbë dynjanë./SOT