Politike14 Maj 2023, 22:03

Berisha akuza Ramës për sulmin ndaj Salvador Kaçajt: Donin ta vrisnin bashkë me të birin, e kemi të filmuar!

Shkruar nga Pamfleti

Berisha akuza Ramës për sulmin ndaj Salvador Kaçajt: Donin ta

Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën për kërcënimin me armë ndaj përfaqësuesit të opozitës në Lezhë, Salvador Kaçaj. Në daljen për mediat, Sali Berisha thotë se kanë tentuar të kryejnë atentat dhe të eliminojnë ish kreun e komunës Shëngjin së bashku me të birin që kishte ardhur nga Amerika për të votuar.

Sipas Berishës, ishin bandat e Pjerin Ndreut që i bllokuan rrugën me makina dhe i ndoqën me armë për t’i qëlluar. Atentati që Berisha pretendon se ka kryer PS dështoi për shkak të manovrës së shoferit që arriti të shmangte personat që i ndoqën.

“Dola për të denoncuar një rast kriminal. Këto janë të dokumentuara dhe evidentuara e kemi informuar rregullisht vëzhguesit ndërkombëtar, KQZ dhe organet. Sot dola para jush për një rast kriminal të jashtëzakonshëm ku Salvador Kaçaj një nga eksponentët kryesor të PD në Lezhë, ish kryetar i bashkisë Shëngjin, njeri me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e sportit e kanë ndjekur 2 makina pa targa ku ai ka qenë bashkë me djalin e vet, shoferin. Persona të maskuar, të armatosur kanë dalë nga makina dhe janë bërë gati të qëllojnë mbi ta, shoferi i tyre një ish gardist të sprovuar ka arritur të manovrojë me makinë dhe t’i bëjë të pasigurt në kryerjen e atentatit.

Me armë në dorë i kanë ndjekur që t’i vrisnin, nuk kanë arritur por të gjitha janë të filmuara. Mund t’ju them që dje dhe pardje, bandat e Pjerin Ndreut kanë terrorizuar zonë pas zone rrethin e Lezhës. Ata e kanë bërë këtë akt në shoqërim nga policia e cila kalonte afër dhe as që u thoshte, përkundrazi krijonte përshtypjen se po bënte sigurimin e banditëve. Kjo ka qenë situate në Lezhë që kulmoi në përpjekjen e eliminimit fizik të Salvadorit dhe djalit të tij që ka ardhur nga Amerika për të votuar. Ky atentat i dështuar është vepër e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut. Edi Rama sic e dini u mor personalisht me Salvadorin në fjalimin e tij në Lezhë. Dënoj këtë përpjekje të Ramës dhe përpjekje për të eliminuar një njeri që transformoi në mënyrë rrënjësore Shëngjinin”, tha Berisha.

sali berisha