Politike 1 Mars 2024, 21:09

Berisha akuza të forta gjyqtares Irena Gjoka: Ka përdorur mbiemër fiktiv në një shtet tjetër!

Shkruar nga Pamfleti

Berisha akuza të forta gjyqtares Irena Gjoka: Ka përdorur mbiemër

Ish-kryeminstri, Sali Berisha ka bërë akuza të forta në drejtim të gjyqtares Irena Gjoka, e cila po gjykon çështjen e tij.

Duke folur nga ballkoni i shtëpisë së tij, ku prej 30 dhjetorit ndodhet në arrest shtëpie, Berisha tha se gjyqtarja është dëbuar nga një shtet i huaj dhe për pasojë ka përdorur një mbiemër tjetër.

Përpara simpatizantëve që ishin mbledhur poshtë shtëpisë së tij, Berisha pretendon se Irena Gjoka ka përdorur edhe mbiemrin “Spata”. Për këtë i është drejtuar me pyetje publike, e ndërsa nuk i ka kursyer as etiketimet si “hajdute ordinere, e pafytyrë, pamoral”.

“Këtu para jush i kam shtruar një pyetje asaj turp gjykatëses, apo ti themi haptas llum gjykatëses. I kam shtruar një pyetje; a je përzënë ndonjëherë nga ndonjë vend për punëra llumi? Nuk ka kthyer përgjigje. Sonte do ta pyes në emrin tuaj dhe mbarë shqiptarëve, këtë llum gjykatëse; ke përdorur ndonjëherë mbiemrin Spata se të është dashur. Irena Spata e ke quajtur ndonjëherë veten ti? Nuk ke turp ti moj, ti je një hajdute ordinere, e pafytyrë, pa pamoral, pa asgjë, që mbahesh aty si skllave e krimeve tua. Sonte i them këto në emër të betejës tuaj të përnatshme”, akuzoi Berisha.

Ky është rasti i dytë që ish-kryeministri zbulon skandale nga e shkuara e gjyqtares së GJKKO. Sali Berisha pati zbuluar para disa muajsh se kjo gjyqtare është në konflikt interesi pasi është shkarkuar prej tij për korrupsion dhe shkelja në vitin 1996.

Por më e rëndë është situata pasi gjyqtarja në kohën kur doli para vetingut e fshehu faktin e shkarkimit nga KLD-ja që drejtohej nga Sali Berisha në vitin 1996, ndërkohë që kolegët e saj janë shkarkuar nga sistemi i drejtësisë për fakte më të lehta.