
Ashpërsohet konflikti brenda Partisë Demokratike. Grupi i Alibeajt dhe ai i Berishës i kanë sytë te seanca gjyqësore e 3 marsit, ku në Apel do të vendoset për vulën e PD.
Berisha në këtë datë ka thirrur njerëzit në protestë. Në çdo dalje trumbeton se protesta ka lidhje me seancën, por është nxjerrë blof nga anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Mirlinda Çollaku. Ajo ka publikuar një SMS që po u shkon demokratëve dhe del hapur se protesta bëhet për vulën.
“Të dashur demokratë! Më 3 mars, ora 12:00, të gjithë bashkë para Kryeministrisë. Ora e Rezistencës, Revoltës, Revolucionit na thërret! Simbolet e PD dhe të pluralizmit nuk i japim! Shqipërisë i dalim Zot”, shkruhet në mesazh.
Ndërkohë sot, Berishës i ka dërguar një mesazh dhe kreu në detyrë i PD, Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit u ndal në Fier për të prezantuar emrin me të cilin do t’i dalë përballë Berishës e Ramës më 14 maj. Ai u shpreh se ata që janë me “Foltoren” janë në shërbim të Ramës. Sipas tij, vula u takon atyre dhe nuk ka gjykatë që merr vendim kundër.
“Ajo çështja e vulës nuk është vetëm çështja e siglës, është e ndarjes së mentalitetit. Mentaliteti brenda nesh është ndarë. Kush është këtu tek ne është tek ne, bazohet te drejta dhe e vërteta. Kush nuk është te ne ka marrë arratinë për të qenë me të majtën dhe pushtetin”, tha Alibeaj, i cili duket i sigurt në fitoren e kësaj beteje.
PD e Alibeajt ka prezantuar Eriselda Zotaj Çelaj që të përfaqësojë demokratët në këtë përballje elektorale për Fierin.
Lini një Përgjigje