Politike 1 Prill 2023, 12:54

Berisha sulmon nga Dibra Ramën: Në Shqipëri është vendosur monizmi, ai kontrollon çdo pushtet në vend përveç bashkisë në Shkodër

Shkruar nga Pamfleti

Berisha sulmon nga Dibra Ramën: Në Shqipëri është

Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Dibrës, Ismail Ukën.

Berisha ka theksuar se në zona të caktuara më kërkonin të hiqnim dorë nga primaret  dhe kurrë nuk u tërhoqa për të qenë besnik ndaj jush.

Ai ka deklaruar se zgjedhjet e 14 majit, janë zgjedhjet e “jetës” pasi vendi është në “rrokullisje” dhe shqiptarët po largohen me “shpejtësi të rrufeshme”. Ai solli në vëmendje se Dibra po shkretohet dhe me votën tuaj duhet të vendosni fatet e vendit.

“Pati një rezistencë ndaj Primareve, në zona të caktuara më kërkonin të hiqnim dorë nga to dhe kurrë nuk u tërhoqa për të qenë besnik ndaj jush. Sot ne nga Tropoja në Konispol, të gjithë kandidatët tanë janë të anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së. Kjo e bën Ismail Ukën dhe të tjerët dy herë më të përgjegjshëm para jush. U garantoj se ata do jenë shërbëtorët tuaj dhe do punojnë së bashku me ju për një model të ri. Ata do përdorin çdo qindarkë të taksave për t’i kthyer në mbështetje të jetesës suaj.

Unë sot jam këtu tek ju për t’i bërë thirrje mençurisë suaj, atdhetarisë suaj dhe shpirtit punëtor të mos harrojë se më 14 maj janë zgjedhjet vendore, por për ne janë zgjedhjet e jetës sonë. Me votën tuaj do firmosni fatin e Shqipërisë dhe të ardhmen. Ne jemi në një rrokullisje, Dibra po shkretohet me shpejtësi të rrufeshme, po kështu vendi,” tha Berisha.

Ai shtoi më tej se në Shqipëri është vendosur monizmi,  kryeministri Rama ka sot çdo pushtet përveç bashkisë së Shkodrës, dhe se ai e përdor këtë pushtet “sipas orekseve të veta” dhe në shkelje të ligjit e Kushtetutës.

“Kurrë në histori nuk janë larguar në 8 vite mbi 33% e shqiptarëve. Asnjë fatkeqësi nuk e ka sjellë këtë. Në rrafshin politik ka ndodhur një mynxyrë e vërtetë. Në Shqipëri është vendosur monizmi, Edi Rama kontrollon çdo pushtet në vend përveç bashkisë në Shkodër. Ai kontrollon më shumë se Ramiz Alia.

Ai i përdor ato pushtete absolutisht në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe sipas orekseve të veta. Monizmat në histori kanë qenë dramat më të mëdha”, tha Berisha.

 

pd diber berisha