
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ka hedhur akuza ndaj qeverisë se veprat e mëdha të infrastrukturës në vend po ndërtohen pa iu nënshtruar kontrolleve teknike të detyrueshme, duke u kthyer në një rrezik për jetën e qytetarëve.
Ai u shpreh se kjo është një strategji e qëllimshme e ekzekutivit, për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore në rast aksidentesh apo fatkeqësish të shkaktuara nga cilësia e dobët e punimeve.
Sipas deputetit të PD, projekte madhore si tuneli i Llogarasë, aksi Qukës-Qafë Plloçë dhe rruga Korçë-Ersekë nuk kanë kaluar procesin e kolaudimit, i cili certifikon sigurinë dhe standardin e veprës përpara inaugurimit.
“Nuk i bëhet qëllimisht. Kolaudimi është momenti kur qeveria verifikon sigurinë e rrugës. Kjo bëhet që nëse ndodh një fatkeqësi, shteti të mos mbajë përgjegjësi dhe t’ia hedhë fajin operatorit”, tha Balliu.
Sipas deputetit, kjo është pjesë e një skeme të gjerë korruptive që nis që te tenderët publikë. Ai theksoi se pas skemave korruptive qëndron kryeministri Edi Rama dhe jo thjesht ministrat e tij.
Ai shtoi se hetimet e SPAK-ut dhe presioni ndërkombëtar, veçanërisht nga SHBA, për të goditur pastrimin e parave nga trafiku i drogës, po e ngushtojnë lakun rreth kryeministrit.
“Shpirti i kësaj qeverie është pastrimi i parave të drogës. Kjo mban gjallë pushtetin e Ramës dhe pamundëson rritjen e buxhetit të qytetarëve”, tha Balliu për “Syri Tv”.
Lini një Përgjigje