TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Tetor 2025, 12:52

Ekzekutimi i gjyqtarit Kalaja, Berisha: Vrasja ngjitet në nivelin e krimit shtetëror

Shkruar nga Pamfleti

Ekzekutimi i gjyqtarit Kalaja, Berisha: Vrasja ngjitet në nivelin e krimit

Kreu demokrat Sali Berisha, gjatë një konference për mediat nga selia e PD-së, ka dënuar ekzekutimin e gjyqtarit, Astrit Kalaja, ndërsa theksoi se kjo vrasje ngjitet në nivelin e krimit shtetëror dhe dëshmon shkallën ekstreme të pasigurisë në narkoshtetin shqiptar.

“Duke ruajtur ndjeshmërinë e plotë ndaj reagimeve që më pëlqejnë apo nuk më pëlqejnë në tërësi dhe në veçanti ndaj rastit konkret, dua të përsëris qëndrimin tim të prerë se nuk pajtohem kurrë me marrjen e jetës dhe aq më tepër ekzekutimin në detyrë të zyrtarëve për asnjë lloj arsye, ndaj dhe kam dënuar dhe dënoj me forcën më të madhe ekzekutimin e gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit dhe përsëri shpreh ngushëllimet e mia familjes Kalaja”, tha Berisha.

Në vijim ai u shpreh se ekzekutimi publik në sallën e gjyqit i gjykatësit Kalaja, sikur të ishte në një kafene apo mejhane të qytetit, dëshmon shkallën ekstreme të pasigurisë në Shqipëri, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

“Në këtë kuadër, vrasja në sallën e gjyqit e gjykatësit Kalaja ngjitet në nivelin e krimit shtetëror dhe kjo jo se plumbat u shkrehën nga shteti, por se vrasja ndodhi në mungesë të plotë të të gjitha përgjegjësive dhe detyrimeve shtetërore, qoftë edhe atyre më minimale për mbrojtjen e jetës dhe veprimtarisë së zyrtarëve të shtetit brenda institucioneve të tyre.

Kjo ka vetëm një shpjegim, zëvendësimin e shtetit, e ligjit me Maliqin”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje