Politike29 Shkurt 2024, 14:36

Eno Bozdo: Qeveria drejt dënimit me 140 mln euro nga arbitrazhi për Portin e Durrës

Shkruar nga Pamfleti

Eno Bozdo: Qeveria drejt dënimit me 140 mln euro nga arbitrazhi për

Anëtari i Kryesisë së Rithemelimit, Eno Bozdo deklaroi se qeveria “Rama” po rrezikon dënimin me 140 milionë euro nga Gjykata e Arbitrazhit për çështjen e portit të Durrësit.

Sipas tij këto vendime kanë në themel interesin politik dhe ekonomik të Ramës.

“Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar rrëzoi kërkesën e qeverisë Rama, dhe vendosi në favor të kompanisë gjermane EMS, duke hapur gjykimin në themel të çështjes për një dëm 40 milionë euro, shkaktuar kësaj të fundit nga vendimi për ta kthyer në resort portin e Durrësit.

Me këtë vendim, për fat të keq, 40 milionë euro të taksave të shqiptarëve mund të konsideron të humbura.

Në të njëjtën kohë kompania turke ‘Durrës Kurum Shipping’, ka paditur qeverinë Rama për 100 milionë euro të tjera, në një çështje të dytë që lidhet përsëri me Portin e Durrësit.

Duke patur parasysh humbjet seriale të çështjeve në Arbitrazh nga qeveria Rama, si pasojë e vendimeve klienteliste, kjo faturë e frikshme do të rritet”, ka thënë Bozdo.

Demokrati ka risjellë në vëmendje edhe çështjen “Beçhetti”, ku si pasojë e interesave të Edi Ramës, shqiptarët duhet të paguajnë 110  milionë euro.

“Me siguri, në vijim Edi Rama do të përbetohet solemnisht dhe publikisht se ‘asnjë kacidhe nga lekët e shqiptarëve nuk do të paguhet për Portin e Durrësit’, ashtu siç u përbetua me dorë në zemër dhe zemër në xhep, për rastin e Agon Channel.

Edi Rama po bën, atë që të gjithë autokratët në botë kanë zanat: vjedhin e manipulojnë zgjedhjet për të kontrolluar pushtetin ekonomik dhe me paratë e vjedhura manipulojnë dhe vjedhin zgjedhjet e radhës.

Por regjime të tilla grabitqare nuk e kanë të gjatë”, tha Bozdo.

eno bozdo