Politike26 Tetor 2023, 20:05

Flamur Noka sfidon gjykatën: Berisha nuk do të paraqitet të hënave në SPAK

Shkruar nga Pamfleti

Flamur Noka sfidon gjykatën: Berisha nuk do të paraqitet të

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha se vendimi i Gjykatës së Posaçme në lidhje me lënien në fuqi të masës ‘detyrim paraqitje’ për Sali Berishën nuk do të njihet.

Ai ka vendosur të sfidojë gjykatën teksa deklaroi se Berisha nuk do të shkojë të hënën e parë dhe të tretë në SPAK.

Noka tha se çdo njoftim që vjen në shkelje të kushtetutës nuk do të njihet.

"Do hetoj programin politik të një force politike?! Çdo njoftim që vjen në shkelje të kushtetutës nuk njihet. Nuk do të njihet as vendimi i sotëm. Berisha nuk do të paraqitet", tha Noka në Report Tv.

Sipas deputetit demokrat, kjo është një aktakuzë politike dhe sipas tij po sulmohet lideri i opozitës.

"Është aktakuzë politike e ngritur ndaj liderit të opozitës. Ngutja me të cilën avancuan ishte e habitshme. Ka 3 vite që po hetohet kjo çështje. Jamarbër Malltezin nuk e lanë të takonte as vajzën që kishte muaj pa e parë. Ishte një show një demonstrim i forcës. Sekuestrimi i pasaportës është kufizim i lirisë. Pse ke zbatuar një program politik. Unë oficerëve u thash jeni në kundërshtim me ligjin. Nuk mundet askush të shkelë kushtetutën. Kushtetuta nuk është më ligji themeltar i këtij shteti. Gjyqtarja njihet si mikeshë Armando Subashit dhe ka ndërhyrë Subashi që të ndaloj apelimin OMN-së kur ishte në vetting. Duhet të respektojë kushtetutën", tha Noka.

Risjellim në vëmendje se pasditen e sotme GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish kryeministrin Sali Berisha.

Ish kryeministri është marrë i pandehur për aferën me privatizimin e pronave të ish-kompleksit “Partizani”. SPAK e akuzon atë për korrupsion dhe ndaj tij u vendos fillimisht masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, teksa u arrestua dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Por teksa për Malltezin procesi u mbyll kollaj duke konfirmuar masën, për Berishën ka pasur pengesa. Ai duhej të dilte para gjykatës për njohjen me masën, por procesi dështoi. Avokatët kërkuan më shumë kohë dhe seanca u shty për të mërkurën. Por dje sërish pati pengesa. Fillimisht avokatët e Berishës braktisën seancën dhe kjo bëri që gjykata të caktonte si avokat kryesisht Artan Simonin. Por edhe ky i fundit u largua pasi kishte bërë disa statuse në rrjetet sociale që u interpretuan se ishin për Berishën. Më pas gjykata caktoi avokatet Jalldiz Kastratin dhe Rabije Cenalian, për të mbrojtur Berishën. Seanca u planifikua për orën 10.00, por u shty për në orën 15.00. Por edhe ato u larguan dhe në fund u përfaqësua nga avokatja Valentina Todoresku. 

“Në datën 26.10.2023, ora 15.00, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u riçel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt “Marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”.

– Të pranishëm në sallën e gjykimit ishin prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millona, ndërsa i hetuari Sali Berisha u përfaqësua nga mbrojtësit e caktuar kryesisht nga gjykata, av.Rabije Cenalia dhe av.Jalldiz Kastrati.

– Gjykata bëri me dije se pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09.45, është depozituar një kërkesë nga shtetasi Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares nga gjykimi i kësaj çështje. Mbi këtë kërkesë, me vendimin nr.430 Akti, datë 26.10.2023 të GJKKO është vendosur mospranimi i kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, me objekt përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, si të pabazuar në prova dhe në ligj.

– Mbrojtësit e caktuar kryesisht nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes dhe në këto kushte, referuar listës së avokatëve kryesisht, gjykata caktoi si avokate kryesisht av.Valentina Todoresku, të cilës i la kohën e nevojshme për tu njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha”, njoftoi gjykata.

Gjyqtarja Irena Gjoka i ka qëndruar vendimit të parë duke deklaruar se Berisha do të qëndrojë në “detyrim paraqitje” dhe po ashtu i kufizohet e drejta për të dalë jashtë shtetit. Vetë Berisha pretendon se nuk e njeh vendimin. Ajo ka vendosur që të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji Berisha të paraqitet pranë SPAK në orën 10.00. 

gjkk berisha noka vendim mase sigurie