
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sërish lidhur me atentatin ndaj Gilmando Danit, ndërsa i plagosur rëndë mbeti miku i tij Muçi Shaljani (Sheqeri), agjent i AMP-së.
Teksa ka ironizuar Policinë e Shtetit, Berisha ka publikuar videon e momentit të vrasjes dhe shkruan se ‘uniformat blu nuk i panë vrasësit pasi i kishin sytë të zënë nga maskat’.
“Vrasësit i panë të gjithë, përveç narko-policisë që kishte mbyllur sytë me maska!”, shkruan Berisha.
Në videon e atentatit dallohen qartë ekzekutorët me taktikë komando apo paramilitarë, të organizuar, të cilët i zënë pritë në mes të rrugës dhe qëllojnë me breshëri automatikësh veturën “Benz” me ngjyrë të bardhë, ku udhëtonin Dani dhe Shaljani, që sapo ishin kthyer nga Barcelona.
Berisha reagoi edhe gjatë konferencës për shtyp mesditën e sotme, ku akuzoi ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit se rendi dhe siguria nuk ekzistojnë. Kreu i PD theksoi se jeta e qytetarëve është kthyer në rrezik, pasi po kryhen atentate në mes të ditës dhe autorët largohen të pashqetësuar.
Lini një Përgjigje