TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Mars 2026, 16:08

Intervista që nxori zbuluar “Liderin Global”!

Shkruar nga Pamfleti
Intervista që nxori zbuluar “Liderin Global”!
Rama duke folur për gazetaren Anne Nivat

Intervista e Edi Ramës për “Le Point” nxjerr në pah përplasjen mes deklaratave të tij dhe pyetjeve direkte të gazetares, të cilat ai zakonisht i shmang në median vendase. Përmes çështjeve si qëndrimi ndaj BE-së, raporti me SHBA-në, lidhjet me figura ndërkombëtare dhe projektet konkrete, intervista evidenton kontradikta, shmangie përgjigjesh dhe një linjë politike që lëviz sipas kontekstit.

Pas sulmeve të njëpasnjëshme ndaj mediave dhe gazetarëve në vend, Edi Rama duket se ka filluar tani të lakmojë mediat ndërkombëtare. Por kjo ka edhe të këqijat e veta, pasi gazetarët e huaj nuk janë si mediat në vend, ku pjesa dërrmuese i kreh bishtin Liderit Global, ndërsa ata gazetarë që janë kritikë dalin jashtë.

Për të qenë më të saktë, dje Edi Rama dha një intervistë për revistën e njohur franceze “Le Point”, intervistë e cila e nxori tërësisht zbuluar. Së pari, gazetarja Anne Nivat guxoi t’ia plaste në sy Ramës të gjitha ato që askush në vend nuk ia thotë, ndërkohë që vetë kryeministri e tregoi hapur se “shkon nga fryn era”.

Për t’i marrë me radhë, që në hyrje revista u kujdes të luante me ironi për Edi Ramën, duke cituar një personazh tjetër, sipas të cilit ai ishte “lideri i madh në një vend të vogël”. Dhe madje, në intervistë, Rama e thekson këtë fakt.

Për Shqipërinë dalin në pah dy emra: Ismail Kadare, shkrimtari ynë më i famshëm, dhe Edi Rama”, shprehej së fundmi një diplomat lokal, duke shtuar se “ndonjëherë, të jesh një vend i vogël me një drejtues të madh në çdo kuptim, na leverdis”, theksohet në hyrje të intervistës.

Bazuar te kjo, revista fillimisht i vuri një titull shumë ironik shkrimit: “Edi Rama: Jam kryeministri i një vendi shumë të vogël”. Por më pas titulli u ndryshua dhe, me gjasë, kjo nuk i ka pëlqyer aspak Bablokut.

Për të hyrë te thelbi i intervistës, gazetarja e pyeti hapur Ramën se përse vendosi të dalë kundër BE-së dhe u rreshtua krah SHBA-së për ta shpallur Iranin si sponsor të terrorizmit. Nga ana tjetër, i kujtoi edhe faktin që Rama doli ndër të parët që mbështeti sulmin e SHBA-së, duke ia përmendur edhe Macronin. Por kryeministri shqiptar dredhoi: “Së pari, nuk ka një linjë të vetme të Bashkimit Europian. Së dyti, presidenti i Republikës Franceze është president i një republike shumë të madhe. Unë jam kryeministër i një vendi shumë të vogël. Nuk po flas për ndryshim regjimi. Po flas për domosdoshmërinë absolute për ta bërë këtë regjim të paaftë për të sulmuar fqinjët e tij”.

Pyetja tjetër ishte: "Nëse Parlamenti Europian do të votonte një rezolutë që dënon ofensivën, a mund të shfaqej Shqipëria si “dele e zezë” mes vendeve kandidate për në Bashkimin Europian?"

Sipas Ramës: “Shqipëria nuk është anëtare e Parlamentit Europian. Është një vend kandidat, që është duke negociuar me Bashkimin Europian. Dhe, e përsëris, Bashkimi Europian nuk ka një linjë të formalizuar për këtë konflikt. Për më tepër, kjo nuk është kontradiktore”.

Më pas gazetarja u ndal te Sazani, duke këmbëngulur disa herë se ai po i jepet familjes së Trump pikërisht për t’u afruar me të. Rama tentoi të justifikohej, ndërsa gazetarja këmbënguli disa herë se ai është dhëndri i Trump.

Pjesa më interesante ishte për Bordin e Paqes. Gazetarja e pyet Ramën: “Më 19 shkurt, ju ishit në Uashington për Bordin e Paqes të Donald Trump, ku madje ishit i ftuar nderi. Pse vendosët të bëheni një nga shtyllat e këtij projekti?”.

Rama nis të flasë më pas për marrëdhëniet me Rusinë dhe gazetarja ndërhyri: “Unë ju bëj një pyetje për SHBA-në dhe ju më përgjigjeni për Rusinë. Nuk doni të më flisni për SHBA-në? Pse përmendni Vladimir Putinin sa herë që ju flas për Donald Trump?”.

Po ashtu, gazetares nuk i ka shpëtuar fakti që Rama kritikoi OKB-në, dhe sipas saj kjo i pëlqeu shumë Trumpit. Por edhe këtu Rama doli zbuluar, pasi duket se lëviz nga fryn era: “Është e vërtetë, por nuk e bëra për t’i pëlqyer Donald Trump. Dhe shpresoj që ajo që ai po bën ta ndihmojë OKB-në të zgjohet. Të gjithë thonë të njëjtën gjë si unë për OKB-në! Nuk njoh asnjë lider ndërkombëtar që të mos bëjë një ‘pff’ kur shkon në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”.

Më pas gazetarja e pyet: “Duke marrë pjesë në këtë Bord, a nuk rrezikoni të jepni përshtypjen se Shqipëria po bëhet një ‘kalë Troje’ amerikan në Europë, ndërkohë që dëshironi të hyni në Bashkimin Europian?”. Duke u mësuar me mediat shqiptare, Rama sërish manovron: “Nuk e di nëse kjo u pëlqen apo jo europianëve. Nuk kam informacion për këtë...”. Por gazetarja ndërhyn sërish: “Ju e dini shumë mirë që nuk u pëlqen europianëve”.

Po ashtu, Rama dredhoi për miqësitë me Macronin dhe Orbanin, teksa kulmi ishte kur u shfaq i shqetësuar se përse europianët bojkotuan festën në Kinë. “Në Europë, ne jetojmë ende në një botë ku zgjedhjet tona janë të lira! Nuk mendoj se mund të refuzohen ftesat. Për shembull, Kina është një realitet i largët nga ne. Shqipëria është i vetmi vend europian pa investime kineze. Dhe megjithatë më është dukur shqetësuese që nuk kishte asnjë përfaqësues të lartë europian në Pekin për 80-vjetorin e fitores kineze kundër Japonisë”.

Nëse doni të kuptoni “kameleonin” Rama, mjafton të dëgjoni apo lexoni këtë intervistë. Rama duket se është gati të bëjë gjithçka për t’u bërë protagonist, por edhe të shesë këdo për t’u afruar me të mëdhenjtë, vetëm për status quo-në e tij. /Pamfleti

le point rama

1 Komente

  1. S
    Shvejku

    Mos i bini ne qafe PALLOSHIT. Ç'faj ka ai se vazhdimisht rrethohet nga kazanet mediatike. Mos ti pranoje me intervistat. Ose, "gazetaret" te bejne vetem pyetjet qe ai j'ua ka shkruajtur me doren vet.

    Lini një Përgjigje