
Deputetja Andia Ulliri, e cila kandidoi në listat e Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore në qarkun e Durrësit pretendon se mandati që mori Arjan Nodja i takon asaj, për shkak të kuotës gjinore.
Ulliri foli gjithashtu edhe për ankimimin që ka depozituar në KQZ lidhur me çështjen e kuotës gjinore, duke sqaruar edhe arsyen.
“Kërkesa ime e cila është depozituar në KQZ është një kërkesë që vë në vëmendje KQZ-në për çështjen e kuotës gjinore. Unë nuk kam qenë një nga kandidatët që ka kontestuar në raport me rinumërim apo kërkesë për rivlerësim të votave, por kam qenë një nga kandidatet e cila ka marrë përsipër një kauzë e cila ka qenë vënia në vëmendje të KQZ-së për çështjen e kuotës gjinore.
Kuota gjinore është e parashikuar në Kushtetutë por duke qenë se kodi i ri zgjedhor ka pasur disa ndryshime, pra ka listën unike që përbëhet nga ajo e hapur dhe e mbyllur, në një keqinterpretim të saj, ajo nuk trajtohet si një listë e vetme por si dy lista të ndara duke cenuar drejtpërdrejtë edhe kuotën gjinore dhe ligjin për barazinë gjinore”, tha ajo për “Euronews Albania”.
E pyetur nëse mund të përfitojë mandatin përtej rezultatit që ka nëse kjo kërkesë e saj do merret parasysh nga KQZ dhe nga KAS, Ulliri u shpreh se ajo është kandidatja më e votuar femër në qarkun e e Durrësit.
“Nga puna e madhe që kam bërë dhe nga beteja 4 vite në Parlament, kam rezultuar si kandidatja më e votuar e qarkut Durrës për PD apo PS si femër”, tha ajo.
Lini një Përgjigje