Politike 4 Mars 2024, 16:28

Komisioni i Ligjeve rrëzon planin ogurzi Rama-Shalsi, del kundër zgjatjes me 3 vite të afateve për investimet strategjike

Shkruar nga Pamfleti
Komisioni i Ligjeve rrëzon planin ogurzi Rama-Shalsi, del kundër
Rama-Shalsi

Komisioni i Ligjeve ka pranuar që afati të shtyhet deri në 31 dhjetor 2024, por jo më tepër.

Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar planin ogurzi, për të lejuar investitorët strategjike edhe 3 vite të bëjnë çfarë të duan me pronën publike.

Eduard Shalsi, me bekimin e qeverisë propozoi një ligj, ku kërkonte që afati i investimeve strategjike të zgjatet deri në vitin 2027. Por ky plan ka hasur në pengesa sot në Komisionin e Ligjeve, pasi deputetët e kanë rrëzuar nismën. Ata kanë pranuar që afati të shtyhet deri në 31 dhjetor 2024, por jo më tepër.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka tha gjithashtu se ndryshimet për kushtet e kriteret i investimeve, nuk do të miratohen pasi duhet të përfshihen në ligjin final që po përgatitet me asistencë të partnerëve ndërkombëtar si Banka Botërore.

Sugjeroj vetëm të shtyjmë vetëm afatin por të mos bëjmë ndryshime në kriteret e tjera, ndryshimet e tjera ti adresohen grupit teknik të punës që po bën ligjin e ri të investimeve”, tha Bushka.

Ligji shkaktoi debate në komision. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha se është një ligj me porosi dhe në shërbim të një grupi personash. Sipas tij, qeveria duhet të tërhiqet nga ky projektligj pasi është momenti që të tregojë që nuk është e përfshirë në këtë vorbull korrupsioni.

Qeveritarët janë përfshirë në vrimën e zezë të këtij ligji. Ju po i shtyni afatin një ligji që as ju nuk e besoni më. Ligj klientelist, autostradë e madhe korruptive. Interesi real, është për të thithur paranë korruptive dhe të zezë. Duhet të hetohen të gjitha procedurat e mëparshme për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, i bën nderë edhe qeverisë për të mos ndyrë duart edhe në këtë vorbull korrupsioni si ky ligj i investimeve strategjike. Duhet të tregoni që jeni me duar jashtë, që mbroni interesat e publikut, që nuk i shërben një kaste oligarkësh afër qeverisë për ta përdorur ligjin si plaçkë. Një iniciativë e tillë duhet të hidhet me neveri në koshin e plehrave”, tha ai.

Vetë Shalsi tha se janë të mençur shqiptarët dhe e dinë vetë ata të gjykojnë. Por Alibeaj u shpreh se PS po shfrytëzon situatën për të ndryshuar dhe kaluar në mënyrë të fshehtë ligjet.

Bëni ligj për 40 veta, investitor strategjik që marrin pasuritë e këtij vendi për interesa të veta. Ku është mbrojtja e interesit publik”, tha ai.

Tani duket se fjalën e ka Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, pasi ai është komision përgjegjës dhe Komisioni i Ligjeve është vetëm për dhënie mendimi. Por duket se pati një dakordësi nga Shalsi.