Politike17 Maj 2023, 18:59

Kush do ta marrë drejtimin e PD? Bardhi fut në lojë Tabakun dhe thërret Këshillin Kombëtar, procedurat që do të ndiqen

Shkruar nga Pamfleti

Kush do ta marrë drejtimin e PD? Bardhi fut në lojë Tabakun dhe

Gazment Bardhi i ka kërkuar Tabakut të marrë drejtimin e PD, ndërkohë që janë shtuar zërat se po gatuhet rikthimi i Lulzim Bashës...

Dorëheqja e Enkelejd Alibeajt ka rikthyer edhe një herë fokusin te situata në PD. Alibeaj vendosi të marrë përgjegjësinë për humbjen e thellë në zgjedhje, duke u larguar nga posti i kryetarit të komanduar dhe kreut të grupit. Pyetja që shtrohet është se çfarë do të ndodhë tani me PD? Kush do ta marrë drejtimin e saj?

I pari që reagoi për largimin e Alibeajt ishte Gazment Bardhi, i cili u shpreh se ka kërkuar një takim me Jorida Tabakun. Sipas statutit të PD drejtimin duhet ta marrë nënkryetari dhe nënkryetari i vetëm është Tabaku.

Pasi jam njohur me deklaratën e Nënkryetarit të Partisë z. Enkelejd Alibeaj, që ushtron përgjegjësinë e drejtuesit të Partisë, se heq dorë nga ushtrimi i kësaj përgjegjësie dhe nga detyra e Kryetarit të Grupit Parlamentar, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetaren e Partisë Jorida Tabaku, për të vlerësuar mbi zbatimin e nenit 46 të Statutit, në këtë periudhë tranzitore”, shkroi Bardhi.

Në nenin 46 të statutit thuhet: “Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”.

Pra pas dorëheqjes së Alibeajt, Bardhi duhet të thërrasë Këshillin Kombëtar dhe detyrën ta kalojë te Tabaku. Por kur Basha dha dorëheqjen, Tabaku ishte ndër ata emra që refuzoi të marrë drejtimin e partisë. Pyetja që shtrohet është: Çfarë do të ndodhë nëse ajo refuzon sërish?

Ndërkohë në kanalet politike po flitet se mund të rikthehet Lulzim Basha. Nuk ka asgjë zyrtare, por ka nga ata që thonë se ai do të tentojë rikthimin dhe të krijojë një grup kundër Berishës. Kjo parlajmërohet dhe nga RD-ja e Berishës. "Dorëheqja e tij vlen të lexohet vetëm si një urdhër i rradhës nga Edi Rama që i hap rrugën rikthimit të pengut të radhës, Lulzim Basha", shkruan gazeta.

Nuk dihet sa mund të ndodhë një gjë e tillë, por e sigurt është se PD do të hyjë në një fazë të re konflikti.

Berisha deklaron se nuk dorëhiqet. Ndërkohë që Bardhi dhe Tabaku duhet të përgatisin PD për zgjedhje të reja. Nëse shfaqet dhe Basha, atëherë me shumë mundësi do kemi tre kampe. Megjithatë mbetet të shihet se si do të shkojë situata. /Pamfleti

tabaku bardhi basha