
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ka arritur të marrë konsensusin e të gjithë aktorëve opozitarë në bashkinë e Elbasanit në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit.
Në një deklaratë të përbashkët me përfaqësuesit e forcave opozitare Boçi shprehu bindjen se ky konsensus i gjerë do ta çojë opozitën drejtë një fitoreje të sigurt në zgjedhjet vendore .
“Kjo marrëveshje është një moment solemn dhe frymëzues në garën time për Bashkinë e Elbasanit. Më vjen mirë që edhe njëherë Elbasani tregoi që është qytet i qyteteve, siç e quaj unë. Ne reflektojmë gjithnjë një harmoni njerëzore mes nesh dhe sot po tregojmë edhe një harmoni politike, e cila reflekton bashkimin e qytetarëve. Kjo nuk është një betejë për Luçiano Boçin por është një betejë për qytetarët”, tha Luçiano Boçi.
Pjesë e marrëveshjes së nënshkruar sot forcat që mbështetën kandidaturën e tij janë:PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË, PARTIA E LIRISË PARTIA DEMOKRISTIANE, LËVIZJA PËR ZHVILLIM KOMBËTAR, LËVIZJA E LEGALITETIT, PARTIA REPUBLIKANE, PARTIA AGRARE AMBIENTALISTE, PARTIA PËR EUROPIANIZIM DHE INTEGRIM, ALEANCA LIBERALE E DJATHTË, BALLI KOMBËTAR.