Endrit Briamllari emërohet nënkryetar i Këshillit Bashkiak...
Ndryshime në krye të Këshillit Bashkiak Tiranë. Pas largimit të Romina Kukos, e cila u zgjodh deputete më 11 maj, në krye të Këshillit Bashkiak është emëruar Megi Fino. Kjo e fundit mban postin e zv/ministres së Jashtme. Teksa duhet theksuar se është vajza e të ndjerit Bashkim Fino.
Megi Fino lindi në Janinë më 7 Prill 1993. Studimet parauniversitare në programin International Baccalaureate i përfundoi në Pekin në vitin 2012.
Më pas studioi drejtësi në Universitetin e Londrës në Britaninë e Madhe, prej të cilit zotëron edhe diplomën Master (LLM) në të Drejtë Publike Ndërkombëtare dhe në vijim diplomën e Masterit Profesional të Praktikës Ligjore (LPC). Në vitin 2015, u diplomua në gjuhën kineze (mandarin) nga SOAS University of London.
Fino u angazhua si këshilltare ligjore për çështjet e emigracionit në studio ndërkombëtare gjatë studimeve universitare dhe pasuniversitare, si dhe në qendra për shërbim juridik falas, me orientim asistencë sociale.
Megi Fino shërben si Zëvendësministre në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme që nga qershori i vitit 2021.
Ndërkohë mazhoranca ka shpërblyer edhe Endrit Braimllarin. Ky i fundit u largua nga LSI dhe kandidoi për deputet në zgjedhjet e 11 majit. Duke qenë se nuk fitoi, ai është emëruar sot nënkryetar i Këshillit Bashkiak. Duhet theksuar se ai aktualisht është këshilltar, pasi në zgjedhjet vendore doli fitues nën siglën e PL. Por pas përplasjeve me Ilir Metën u largua nga partia.
Pra ajo që vihet re është se Rama po shtrin kudo tentakulat në bashki. Të dy personat e emëruar janë besnikë të tij. Megi Fino vjen nga radhët e qeverisë, ndërsa Braimllari i dha ndihmë PS-së në zgjedhjet e 11 majit, duke i rrëmbyer shumë vota PL-së.
Në mbledhje ra në sy fakti se bashkia përfaqësohej nga nënkryetari Andi Seferi, ndërkohë që nuk ishte kryetarja në detyrë Anuela Ristani.
Lini një Përgjigje