
Sali Berisha ka prezantuar sot kandidatin e opozitës për Kuçovën, Lefter Maliqi. Vetë ky i fundit në fjalën e tij tregoi prioritetet e punës, teksa u shpreh se do ta shndërrojë këtë Bashki në një kantier ndërtimi.
“Kini besim të patundur që do i bëj të gjitha që vitin e parë. Nuk ka asgjë që më ndal për të punuar për publikun. E keni parë në komunën që drejtoja, që njerëzit nga gëzimi thernin dashin te këmbët se i ktheva në vepra. I dyfishova në vepra. Do të suvatohen të gjitha pallatet që janë bërë si gërmadha, do të luhen të gjitha. Të gjitha rrugët e lagjeve brenda dy viteve do të asfaltohen. Qendra e kulturës do të bëhet, tregu do të bëhet modern, ura e Bardhajt, shumë rrugë do të bëhen shumë shpejt”, u shpreh ai.
Maliqi u shpreh se që në muajin e parë do të blihen 13 mjete, ndër to edhe dy mikrobusë të linjës Kozare-Lumas me 50% të kostos për qytetarët dhe falas për pensionistët.
“Do të blihen 13 mjete që në muajin e parë, tre fadroma, tre kamionë, dy mikrobusë të linjës Kozare Lumas me 50% kosto dhe për pensionistët falas. Lefter Maliqi çfarë thotë e bën realitet. Do të qërojmë. Do i hedhim në kosh tenderat korruptivë të pastrimit të qytetit dhe do bëjmë atë që duhet.
Të gjitha rrugët dhe urat në fshatra do bëhen të gjitha. Meriton Kuçova këtë gjendje ku është?! A nuk meriton Kuçova një muze historik. Nuk meriton një qendër kulture? A meriton një treg si Kandahar?”, tha Maliqi.