
Sali Berisha duket se është kthyer në avokatin më të flaktë të “Top Channel”. Deri dje nuk linte gjë pa thënë për drejtuesit e televizionit, por pas sulmit me armë, ai i ka marrë në mbrojtje.
Ish-kryeministri ka marrë pjesë ditën e sotme në prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kuçovës në zgjedhjet e 14 majit, Lefter Maliqi. Aty ai u ndal dhe te ngjarja e djeshme.
“Para një jave u ekzekutua një gjyshe që punonte dy punë, para 3 ditësh u ekzekutua një roje që rrinte gjithë natën me një breshëri kundër një medie. Kur kryeministri thotë se kokën t’i hanë njëri-tjetrit, jo është licencë për të vrarë.
Një kryeministër ka ligjin dhe policinë, nuk i lejon njerëzit të vriten por i çon aty ku kanë vendin. Kur ai thotë t’i hanë kokën njëri tjetrit, sheshet e lokalet janë në dorën e krimit.
Kur kryeministri i vendos tritol mediave, banda të tjera guxojnë dhe shkrehin breshëri kundër tyre! Cili është cinizmi më ekstrem? Dje familjarët varrosën njeriun e tyre të pafajshëm që u ekzekutua, sot si ngushëllim patën nga ky cinik se rendi sot është më i mirë se kurrë. A ka cinizëm më të madh se ky ndaj qytetarëve?”, u shpreh ai.