Politike 2 Mars 2024, 11:03

Një “mace” në mesin e “pëllumbave” të NATO-s, a do të pranohet propozimi i Macron për Ukrainën?

Shkruar nga Patrick Turner
Një “mace” në mesin e “pëllumbave”
Emannnel Macron dhe Vladimir Putin /

Presidenti francez Macron ka absolutisht të drejtë kur thotë se “asgjë nuk duhet të jetë jashtë tryezës së diskutimit”...

Sugjerimi i presidentit francez Emannuel Macron se trupat perëndimore mund të vendosen në Ukrainë, ka sjellë një reagim të ashpër nga udhëheqësit në të gjithë kontinentin. Por udhëheqësi francez ka të drejtë. Ka ardhur koha të merret në konsideratë një qasje e re dhe më e ashpër ndaj Moskës.

Në fjalimin e tij të 26 shkurtit, Macron e pranoi se është i pamundur konsensusi me presidentin rus. Dhe propozimi i tij i bujshëm përbën një ndryshim shumë të madh nga disa vite më parë kur Franca udhëhoqi përpjekjet për të arritjen e një pakti midis Moskës dhe Kievit, dhe kur vazhdoi të mbante deshpërimisht shpresë tek diplomacia edhe pas pushtimit në shkallë të plotë që nisi Rusia 2 vjet më parë.

Macron i zgjodhi me shumë kujdes fjalët e tij. Ai tha: “Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta penguar Rusinë ta fitojë këtë luftë”, dhe shtoi se koncepti i dërgimit të trupave në Ukrainë - nëse do të jetë kjo ajo që kërkohet për ta parandaluar fitoren e Rusisë - nuk duhet të hiqet nga tryeza e diskutimeve.

Nga ana tjetër, ai tha se Franca synon të ruajë një qëndrim të padeklaruar strategjik në lidhje me këtë çështje. Çfarë po kërkonte të arrinte ai me këtë deklarata të fortë? Fjalët e Macron përfaqësonin një qasje aktive ndaj parandalimit, dhe janë në përputhje me qasjen e Francës mbi sigurinë.

Një “mace” në mesin e “pëllumbave”

Paqartësia është një pjesë kyçe e parandalimit efektiv. Dhe vendet e tjera do të bënin mirë t'i bashkoheshin kësaj qasje në vend se të nxitojnë ta hedhin poshtë atë. Kohët e fundit kemi parë një debat gjithnjë e më të fortë por edhe reagime të vonuara të Perëndimit në raport me situatën në frontin e betejës.

Miqtë e Ukrainës kanë qenë shumë të ngadaltë në shqyrtimin dhe më pas në dhënien e ndihmës ushtarake. A i mbani mend debatet e zgjatura mbi dërgimin apo jo të tankeve, municioneve të sistemeve HIMARS dhe avionëve luftarakë F-16?

Dhe këtu nuk po përfshijmë armët që mbeten ende të pa dorëzuara, si sistemet ATACMS, raketat Taurus, dhe së fundmi dërgimin e trupave të NATO-s në front. Në këto kushte,  paqartësia strategjike duket minimalisht të jetë qasja e duhur. E pse t'i japim Putinit sigurinë ngushëlluese se ai nuk do të përballet ndonjëherë me trupat perëndimore?

Natyrisht, ka kuptim të sigurohemi që kjo të mos kthehet në një luftë direkte midis Rusisë dhe NATO-s, dhe ta bëjmë të qartë që ky është qëllimi ynë. Tek e fundit, kjo ka qenë korniza thelbësore tek e cila është bazuar e gjithë mbështetja e dhënë Ukrainës deri më tani.

Por aleatët e Ukrainës e kanë interpretuar gabim atë që kërkon shmangia e një lufte të tillë mes Rusisë dhe NATO-s. Dhe pasoja është ndihma ushtarake me mungesë të vazhdueshme në ambicie, shpejtësi dhe shkallë. Avionët F-16 mund të ishin tashmë në Ukrainë nëse trajnimi i pilotëve do të kishte filluar më herët (tani qershori duket të jetë data më e hershme e mundshme për t’u futur në veprim).

Sistemi i raketave ATACMS duhet të jetë tashmë në Ukrainë, por diskutimet (pra vonesat) vazhdojnë. Në këtë kontekst, është inkurajuese që në takimin e 26 shkurtit në Paris u fol për më shumë mbështetje me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë.

Por në vend të paqartësisë, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Spanja dhe të tjerët kanë nxituar të përsërisin supozimin bazik se nuk do të dërgohen trupa perëndimore në Ukrainë (përveç disa këshilltarëve ushtarakë). Kjo e qetëson Putinin që të vazhdojë të ndjekë objektivat e tij në Ukrainë.

Po ashtu është një garanci për popullsinë perëndimore se nuk është e afërt një lufte me Rusinë. Por kjo qasje nuk ofron garanci për Ukrainën. Dhe as siguri për ata që shqetësohen nga mundësia reale e pushtimi nga Rusia të një vendit aleat të NATO-s. Macron theksoi se Rusia ka të ngjarë të shkojë më tej se Ukraina.

Edhe udhëheqësit e tjerë mendojnë të njëjtën gjë. Prandaj, kjo qasje nuk ofron siguri për të ardhmen e paqes në Evropën ende të pa pushtuar. Sa më gjatë të ngurrojmë dhe frikësohemi, sa më pak të mbështesim Ukrainën, sa më shumë ia lëmë Putinit fushën e betejës, aq më shumë do ta rrezikojmë sigurinë e Perëndimit si dhe do të rrisim koston për Ukrainën dhe për ne të tjerët.

Ekzistojnë shumë mënyra se si mund të bëjmë më shumë për Ukrainën, edhe pa hyrë zyrtarisht në luftë me Rusinë. Ne mund të bëjmë më shumë me forcat dhe aftësitë perëndimore, edhe pa shkelur ndonjë “vijë të kuqe”. Ne mund të bëjmë më shumë për ta ndihmuar Ukrainën të ketë sistemin më efektiv të mundshëm të mbrojtjes ajrore dhe raketore.

Po ashtu ne mund të garantojmë policimin shumëkombësh të hapësirës ajrore të Ukrainës. Mund të dërgojmë forca të rëndësishme për t’u trajnuar në Ukrainë. Po ashtu mund të ndërtojmë baza në Ukrainë, të cilat do të nevojiten kur ajo të anëtarësohet në NATO.

Ne mund të bëjmë më shumë për të ndihmuar në ndërtimin dhe mbrojtjen e industrisë së saj të mbrojtjes, por mund të ndihmojmë me procesin e çminimit. Dhe ne mund të mbajmë hapur opsione të tjera për ta mbështetur Ukrainën në terren. Putin mund t’i japë fund sulmit ndaj Ukrainës sa herë që dëshiron.

Një “mace” në mesin e “pëllumbave”

Ai e di shumë mirë se vendet perëndimore nuk kanë plane të mësyjnë në territorin rus. Por ai nuk duhet të habitet nëse vendet perëndimore veprojnë për të siguruar që Rusia të mos bëjë përparim të mëtejshëm në pushtimin dhe nënshtrimin e një vendi evropian të pavarur dhe demokratik.

Dhe ai nuk duhet të habitet, kur NATO e fton Ukrainën të anëtarësohet, siç duhet të bëjë në fakt në samitin Uashingtonit në korrik. Në prag të pushtimit të Rusisë 2 vjet më parë, vendet perëndimore gabuan kur e zvogëluan praninë e tyre në Ukrainë, në vend se ta forconin atë.

Sot rrezikojmë sërish të bëjmë të njëjtin gabim. Sido që të jenë perspektivat e çlirimit të shpejtë të territorit ukrainas të pushtuar ende nga Rusia, ne duhet të sigurojmë që Rusia të mos ketë më sukses këtë vit apo edhe më tej. Nëse kjo nënkupton dërgimin e trupave perëndimore që këtë vit, kështu qoftë.

Jo për të luftuar Rusinë, por për t’u siguruar që Rusia të mos mundet të përparojë më tej. Për ta bërë të qartë që ne kemi një interes të madh në sigurinë e Evropës, dhe se nuk do ta heqim dorë prej saj. Dhe së fundi për të hequr një “vijë të kuqe” të vërtetë: deri këtu dhe jo më tej. Prandaj presidenti francez Macron ka absolutisht të drejtë kur thotë se “asgjë nuk duhet të jetë jashtë tryezës së diskutimit”./Përshtati Pamfleti nga “Center for European Policy Analysis”

Shënim: Patrick Turner, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Politikat dhe Planifikimin e Mbrojtjes gjatë viteve 2018-2022.

putin rusia macron propozimi për ukrainën