Politike26 Prill 2023, 10:49

Nuk donte postera këtë fushatë, Rama ndërron mendje dhe reklamon ‘gomerët e shalqinjtë’ me imazhin e tij

Shkruar nga Pamfleti

Nuk donte postera këtë fushatë, Rama ndërron mendje dhe

Në nisje të kësaj fushate (edhe pse, sa për propagandë, ajo nuk mbaron kurrë), Edi Rama kishte kërkuar të mos kishte asnjë poster që reklamonte kandidatët për kryebashkiakë. Mesa duket asnjëri/a nuk i pëlqente si fytyrë për ta treguar në qytetet e vendit.

Megjithatë, ndryshoi mendje dhe posterat i vuri kudo, por me një ndryshim thelbësor: Në foto doli vetë (meqë hera herës ndihet si model) dhe meqë ‘nuk i ndahet shpirti’ nga ish-bashkëpunëtorët, vuri edhe Berishën e Metën, të cilët i konsideron si ‘zorrë qorre’. Fiks, si dy bashkëpunëtorë të pandashëm, që tani nuk i do ose bën sikur nuk i do më ‘nëpër këmbë’.

Kolona zanore që zgjodhi Rama (se çdo gjë duhet të zgjidhet nga ai, tamam si një nikoqire që kujdeset për gjithçka në shtëpi) ishte e zhanrit tallava, që tregon mendimin që kryeministri ka për shqiptarët në përgjithësi dhe ata që e votojnë në veçanti. E kur kreu punë edhe me këngën e fushatës (për të cilën ‘vdes’ se e kërcen vend e pavend), ia nisi me epitete që do ofendonin edhe servilin më të devotshëm.

Në emër të modestisë, (d)Rama i reklamon kandidatët për kryetarë bashkie si gomerë. Për ndonjë syresh madje, e shtoi dozën e komplimentit, duke e cilësuar si gomar që i mban shumë kurrizi, por për kandidatin e Kavajës e lëshoi veten fare, duke thënë se i ‘jep edhe dru’.

Madje kryeministri Rama shkoi deri aty, sa të ulë personalitetin e Redjan Kralit, të cilin 9 muaj më parë e kërcënoi për falimentimin e Bashkisë së Kavajës.

“Ta dini ju sa herë e rrah këtë unë! E para, ai që të rreh, të do, e dyta, nuk e rrah aq shumë sa thashë. E rrah me fjalë në telefon se dua që të rrijë edhe më shumë në këmbë, dua të bëjë më shumë punë, dua të mos i rrëshqasë asnjë mi nën mustaqe”, theksoi kreu i PS-së.

Deliri kryeministror (edhe nuk ka faj në fakt se nuk po zbret më dot nga posti) shkon edhe më tej. Pasi ka mbaruar punë me ‘gomerët që i rreh’, kalon tek shalqinjtë. Jo në kuptimin e parë të fjalës, por tek kandidatët të cilët janë tashmë në krye të bashkive dhe rikandidojnë për të njëjtin post. Sipas tij, ata janë “janë shalqi me provë” dhe për më tepër thotë se kanë edhe një shalqi më të madh me provë, në Tiranë.

Sigurisht që askush nuk guxon t’i thotë kryetarit të ndritur ‘O kungull’ (për vetitë ushqyese, kuptohet), por as ‘o dru’ (si një njeri stoik që kur ia do puna, edhe bën sikur gdhendet), ama durojnë aq shumë dhe kalojnë gjithçka me buzëqeshje, sepse e dinë që po t’ia prishësh qejfin, tregon që je mendjemadh dhe nuk e meriton më përkrahjen e ‘naltgjatësisë së tij’, Edi (d)Rama. /Pamfleti

 

edi rama shalqi gomere