Valter Gora, ish-drejtor i dënuar dhe drejtues i PS-së në Pogradec, ka marrë 39 tenderë pa garë me vlerë 1.8 milionë euro nga bashkia e Ilir Xhakollit, ndërsa Rama e quajti “të larguar nga partia” pas vrasjes së Egli Progës.
Pas deklaratës së 8 shtatorit 2024, ku Edi Rama mohoi çdo lidhje të Partisë Socialiste me Valter Gorën, rezulton se “i pavaruri” i kryeministrit është një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike në qarkun e Korçës.
Në buletinin e fundit të Prokurimeve Publike, kompania e tij “Gora 2004” ka fituar tenderin 147 milionë lekë për furnizimin me karburant të bashkisë Pogradec, pa garë, me 100% të fondit limit.
Në shtator të vitit 2024, pas vrasjes së Egli Progës në qendër të Pogradecit nga nipi i Valter Gorës, kryeministri Edi Rama u përpoq të mbyllte çdo lidhje politike mes autorit të krimit dhe strukturave të Partisë Socialiste.
Në një deklaratë publike, Rama tha:
“Është një përrallë që autori i vrasjes ka mburojë politike. PS nuk mbron as ministrat, jo më dajën e një krimineli. Valter Gora është një person i dënuar për abuzime dhe prej kohësh nuk ka asnjë lidhje me PS-në apo pushtetin.”
Por dokumentet zyrtare dhe të dhënat e fundit të Buletinit të Prokurimeve Publike e rrëzojnë plotësisht këtë deklaratë.

Në realitet, Valter Gora jo vetëm që është drejtues aktiv i PS-së në Pogradec, por edhe përfitues i drejtpërdrejtë i fondeve publike nga bashkia socialiste e drejtuar nga Ilir Xhakolli.
Në buletinin e datës 10 nëntor 2025, Ndërmarrja e Mirëmbajtjes dhe Infrastrukturës në varësi të Bashkisë Pogradec shpalli tenderin për blerjen e karburantit dhe gazit të lëngshëm për ngrohje, me fond limit 147 milionë lekë me TVSH.
Tenderi ishte ndarë në dy lote dhe i është dhënë kompanisë “Gora 2004 sh.p.k.”, në pronësi të vetë Valter Gorës, dajës së autorit të vrasjes së Egli Progës.
Në procedurë nuk pati asnjë garë: kompania e Gorës ishte pjesëmarrës i vetëm dhe fitoi me kontratë 100% të fondit limit.
Ky nuk është rasti i parë.
Sipas të dhënave të mbledhura nga “Pamfleti”, Valter Gora ka fituar 39 tenderë publikë nga Bashkia e Pogradecit në periudhën 2019–2025, me vlerë totale 1.8 milionë euro, të gjitha pa konkurrencë dhe të favorizuara politikisht.

Në mënyrë ironike, i njëjti person që Rama e quajti “të larguar nga PS-ja”, rezulton të jetë drejtues organizate socialiste në një nga njësitë territoriale të Bashkisë Pogradec, i emëruar si “koordinator i fushatës” në zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Kush është Valter Gora
Valter Gora ka qenë dy herë drejtor i institucioneve shtetërore: në Postën Shqiptare Korçë dhe në Ujësjellësin e Pogradecit, nga ku është arrestuar dhe dënuar për shpërdorim detyre dhe vjedhje fondesh publike.
Megjithatë, pas dënimit, ai është rikthyer në skenën politike lokale si mbështetës dhe drejtues i PS-së në Pogradec, duke përdorur ndikimin për të siguruar kontrata nga bashkia.
Burime nga brenda administratës vendore konfirmojnë se Gora është mik i kryetarit të bashkisë Ilir Xhakolli, që i ka dhënë pothuajse çdo tender të mundshëm të lidhur me karburant, mirëmbajtje automjetesh dhe infrastrukturë.
Nëse zbatohen rregullat e ligjit të prokurimeve publike, persona të dënuar për korrupsion apo vjedhje nuk mund të marrin pjesë në tendera shtetërorë.
Por në Pogradec, ligji nuk ekziston: drejtuesit e dënuar shpërblehen, ndërsa kryeministri që i mbron, pretendon se nuk ka lidhje me ta./Pamfleti
Lini një Përgjigje