TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Shkurt 2026, 11:16

Prapaskenat, nga roli i Grenell te administrata Biden; kush e mbylli “Ballkanin e Hapur”?

Shkruar nga Milos Miljkoviç
Prapaskenat, nga roli i Grenell te administrata Biden; kush e mbylli
Ballkani i Hapur

Ndryshimet gjeopolitike dhe interesat e ngushta politike e lanë iniciativën pa mbështetje dhe pa rezultate të plota

Po të ishte realizuar në praktikë ideja për bashkëpunim të ngushtë ekonomik mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, vendet me një treg prej afro 11 milionë banorësh do të kishin përfituar. Ndryshimet në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe interesat e ngushta ditore të aktorëve kryesorë, bënë që sot për “Ballkanin e Hapur” të flitet si për një nga mundësitë e humbura.

“Ballkani ballkanasve”, kjo është fjalia që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka përsëritur disa herë, përfshirë edhe në Nju Jork, në Kombet e Bashkuara, në kulmin e iniciativës “Ballkani i Hapur”, apo “Mini Shengen”, siç e quanin disa. Ideja ishte që, si një paradhomë e Bashkimit Evropian, mes vendeve të rajonit, konkretisht Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të krijohej një hapësirë me lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Në dobi të ndërsjellë të këtyre shteteve. Koncepti, në parim i dobishëm, nuk zgjati shumë.

Që në fillim, kur ideja u përmend publikisht, u shoqërua me pretendime se nuk ishte një nismë autentike e zyrtarëve që e promovuan, Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama. U fol se koncepti i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor ishte hartuar në Uashington ose Berlin dhe se ishte dërguar si një zgjidhje e gatshme për t’u zbatuar sa më shpejt. Disa, të shqetësuar nga ajo që e quajnë “hegjemonia e madhe serbe”, e panë në “Ballkanin e Hapur” një plan për dominim serb në rajon përmes instrumenteve ekonomike.

Megjithëse bëhet fjalë për vitin 2019, kur koncepti u hodh për herë të parë, harta gjeopolitike dhe drejtimet e bashkëpunimit atëherë dukeshin ndryshe. Perëndimit i interesonte të ruante ndikimin e tij në Ballkan përmes një lloj imitimi të hapësirës së BE-së, ndërsa zgjerimi me anëtarë të rinj shihej si perspektivë e largët. Ndërkohë, në Shtëpinë e Bardhë erdhi Joe Biden, për t’u rikthyer pas 4 vitesh Donald Trump. Bota u bë më e paqëndrueshme, e përfshirë nga konflikte të mëdha ushtarake, garë armatimesh dhe ndarje të sferave të interesit. Sot flitet hapur për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në BE, çka e zbehu qëllimin fillestar të iniciativës.

Qasje e rezervuar

Bojan Staniç nga Dhoma Ekonomike e Serbisë deklaroi për NIN se iniciativa “Ballkani i Hapur” filloi si “Mini Shengen”. Ai kujton se në vitin 2019 erdhi një sinjal “nga jashtë” se duhej përgatitur terreni për “Mini Shengenin”. Sipas tij, askush nuk e dinte saktësisht se për çfarë bëhej fjalë, ndërsa iniciativa u formua në SHBA dhe më pas udhëheqësit e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut deklaruan se ishte “iniciativa e tyre”.

Më pas, ideja u ribrandua si “Ballkani i Hapur”, me synimin për krijimin e një tregu unik të bazuar në katër liritë ekonomike: lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit.

“Filloi me hezitim. Mali i Zi ishte kundër, Bosnja dhe Hercegovina gjithashtu, ndërsa për Kosovën as që bëhej fjalë. Megjithatë, në vitin 2022 u mbajt një samit ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të Hungarisë dhe Turqisë, si dhe përfaqësues të gjithë rajonit, madje edhe kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Dukej se iniciativa po shtyhej si një alternativë që do të zëvendësonte Procesin e Berlinit”, thotë Staniç.

Sipas tij, me shpërthimin e luftës në Ukrainë, gjithçka u ndal. Ai vlerëson se projekti u mbështet nga administrata e parë e Donald Trump dhe nga Richard Grenell, por u la mënjanë pas ndryshimit të administratës në SHBA. Më pas, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se “Ballkani i Hapur” e kishte përmbushur misionin e tij dhe se kishte përfunduar.

“Në praktikë, nuk arritëm krijimin e një tregu të përbashkët. Mund të thuhet se u mundësua lëvizja me kartë identiteti në rajon, funksionoi njohja e diplomave dhe procedurat për punësim. Por për këto lehtësime, sipas të dhënave tona, aplikuan rreth 400 persona. Pra, rezultatet janë minimale”, thekson Staniç.

Ai shton se si “Ballkani i Hapur” ashtu edhe Procesi i Berlinit u lanë në plan të dytë pasi Shqipëria dhe Mali i Zi morën mbështetje për anëtarësim në BE. Sipas tij, Serbia ishte promotore më e zëshme e bashkëpunimit ekonomik, duke qenë se ka prodhimin më të madh në rajon dhe eksporton më shumë.

Staniç vlerëson se iniciativa dështoi për shkak të mungesës së një qëllimi të përbashkët për integrim të plotë rajonal, veçanërisht në nivelin e zyrtarëve.

Nën ndikimin e politikës

Predrag Bjeliç, profesor i tregtisë ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik në Beograd, deklaroi për NIN se iniciativa shkoi më thellë se CEFTA në disa fusha, por mbeti e ekspozuar ndaj luhatjeve politike mes tre vendeve. Sipas tij, përkeqësimi i marrëdhënieve politike, sidomos mes Serbisë dhe Shqipërisë, e shtyu iniciativën në plan të dytë.

Ai shton se “Ballkani i Hapur” u konceptua edhe si një kompensim për ngecjet në CEFTA dhe në krijimin e tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, të bllokuara nga çështje politike si ajo e Kosovës. Por Bashkimi Evropian vazhdoi të insistojë në bashkëpunim me të gjashtë ekonomitë e rajonit, duke e relativizuar rolin e kësaj nisme.

Sipas Bjeliç, iniciativa në fund u reduktua kryesisht në lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore, por pa interes të madh. “Tregu ynë i punës është i hapur, por shumica preferojnë të shkojnë në BE”, thekson ai.

Sinjale të kundërta

Dragoljub Rajiç, koordinator i Rrjetit për Mbështetje të Biznesit, deklaroi për NIN se nga këndvështrimi i komunitetit të biznesit, bashkëpunimi ekziston. Megjithatë, ai thekson se politika i jep iniciativës një ngarkesë që e vështirëson funksionimin e saj.

Sipas tij, Serbia, si vendi më i madh në rajon, ka interes për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për shkëmbime normale tregtare. Por rajoni mbetet i ngarkuar me çështje të pazgjidhura politike, përfshirë Kosovën dhe pasojat e luftërave në ish-Jugosllavi.

Rajiç vlerëson se politikanët shpesh i përshtatin prioritetet rajonale nevojave të brendshme afatshkurtra. Ai thekson se sot “Ballkani i Hapur” mbetet një iniciativë e lënë në hije, ndërsa politika vazhdon të ndikojë mbi proceset ekonomike në rajon. /Përshtati Pamfleti nga NiN/

ballkani i hapur rama vuçiç grenell

Lini një Përgjigje