Politike20 Mars 2023, 15:40

“Pritet më shumë nga SPAK”, Fatos Klosi: Drejtësia të jetë më e rreptë me politikanët dhe jo me qytetarët

Shkruar nga Pamfleti

“Pritet më shumë nga SPAK”, Fatos Klosi: Drejtësia

Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi, ka komentuar situatën politike në vend dhe jo vetëm. Në një intervistë për gazetën “SOT”, i pyetur lidhur me vendimin e SPAK dhe BKH për të kontrolluar shtëpitë e grave të ish-ministrit Arben Ahmetaj në kuadër të hetimeve të inceneratorëve, ai u shpreh se SPAK është ngritur për këto punë, ndërsa theksoi se SPAK shkon tek njerëz që dyshon. I pyetur se a rrezikon Ahmetaj të ketë fatin e ish-ministrit Saimir Tahiri, ai tha se deri tani për këtë jemi ankuar, për mosrreptësinë e gjykatave, sepse ato bashkë dhe reforma për këtë gjë u bë që sistemi i drejtësisë ka qenë tolerant nuk i ka trajtuar problemet me seriozitetin e duhur. Ai theksoi se sistemi duhet që të jetë më i rreptë. Teksa foli për masakrën e “21 janarit” lidhur dhe përgjimet e reja që kanë dalë, ai u shpreh se për faktin që u gjuajt mbi protestuesit kur kishte mbaruar protesta dhe nuk rrezikonin kryeministrin, dhe ka qenë edhe vet aty ku teksa protesta ishte duke mbaruar atëherë u gjuajt drejt protestuesve dhe kjo tregon sipas tij se protesta ishte e programuar.

-Zoti Klosi, si e shihni vendimin e SPAK dhe BKH për të kontrolluar shtëpitë e grave të ish-ministrit Arben Ahmetaj në kuadër të hetimeve të inceneratorëve?

SPAK është ngritur për këto punë, unë e dëgjova që SPAK duhet që të merrte leje në Kuvend duke qenë se janë ish-e shoqja ose ajo që bashkëjeton, nuk e di sa të vërteta janë. Edhe SPAK duhet që të ketë pak kompetenca që të kap me “presh në duar”, se nëse do merret leje do dalë informacioni, mund të merren masa. Unë them se nuk duhet që të mërzitemi shumë për ata që akuzohen, natyrisht ka rregulla ata kanë të drejtat e tyre, nuk e kam për rastin konkret, por SPAK shkon tek njerëz që dyshon.

-A rrezikon Ahmetaj të ketë fatin e ish-ministrit Saimir Tahiri, duke qenë se edhe kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh të koduar që po të isha gjykatës, do ishte ndryshe puna?

Në fakt deri tani për këtë jemi ankuar, për mosrreptësinë e gjykatave, natyrisht jo vetëm gjykatave, por edhe prokurorisë, sepse ato bashkë dhe reforma për këtë gjë u bë që sistemi i drejtësisë ka qenë tolerant nuk i ka trajtuar problemet me seriozitetin e duhur, i është trembur politikës, nuk e di nëse ka pasur këtë parasysh kryeministri, por unë them se sistemi duhet që të jetë më i rreptë, më i rreptë s’mund të jetë me njerëzit e zakonshëm, por me politikanët, me kriminelët. Nëse do tregohej pak më i rreptë me ta mirë do jetë. 

-21 Janarin e vitit 2011, si e mbani mend ju dhe çfarë ndodhi atë ditë? A duhet të hapet dhe si i shikon përgjimet që kanë dalë, që tregojnë se Komandanti i Gardës jep urdhër për të vrarë protestuesit?

Sigurisht  janë prova të reja. Por, vetëm për faktin që u gjuajt mbi protestuesit kur kishte mbaruar protesta dhe nuk rrezikonin kryeministrin, dhe kam qenë edhe vet aty dhe ishte duke mbaruar protesta dhe ishte e programuar. Berisha ishte ai që donte të tregonte se e bënte zap këtë popull, për atë protestë u fol se do ishte protestë jo si të tjerat të qeta dhe Berisha donte të tregonte se ai është zot i këtij vendi dhe e mbaj nën kontroll qoftë edhe me vrasje. Këto prova që po dalin tregojnë se ashtu kanë qenë, ka qenë e programuar dhe nëse duan vërtetë që të bëjnë drejtësi duhet që ta rihapin atë proces qoftë edhe me provat e reja që kanë dal, Prokuroria duhet që të bëjë më shumë dhe pastaj gjykata të bëjë punën e vet. 

-A ka përgjegjësi ish-kryeministri Sali Berisha për masakrën e “21 janarit”?

Ai është mburrur me 21 janarin, por më vjen keq që sistemi i drejtësisë nuk e ka marr seriozisht, sepse ai ka deklaruar se mund të bënte edhe më shumë edhe Ramën do ta kisha vrarë. Pra këto tregojnë se ai e ka bërë të programuar dhe nuk guxonte Basha si ministër ta merrte përsipër këtë dhe e gjithë përgjegjësia nëse ka është e atij që guxon ta bëjë atë, jo Basha ai është përdorur nga Berisha. Përgjegjësia për gjithçka që ka ndodhur është e tij, sepse askush nuk hyri në kryeministri dhe askush se kaloj bllokun e betonit që ishte në kryeministri. Ndërkombëtarët ia kanë dhënë sigurinë atyre që janë në sistemin e drejtësisë se nuk i gjen gjë me cilin do që të përplasen, normalisht nuk është e kollajshme, sepse sistemi i drejtësisë ka qenë në kontroll të politikës , por patjetër ata duhen të përpiqen dhe të mos influencohen nga asnjë. U bënë kaq vite që njerëzit presin, drejtësia duhet të bëhet me vendime të prera e ka bërë se ka bërë dhe jo me kompromise.

-Po për tragjedinë e “Gërdecit” ka përgjegjësi Berisha?

‘Gërdeci’ dhe ‘21 janari’ janë e njëjta gjë. Kam dëgjuar se djali i tij është i implikuar, Berisha ka qenë zot duke qenë aq i fuqishëm si kryeministër del që për çdo gjë që ka ndodhur e ka përgjegjësi për mirë ose për keq, le të kujtojmë që edhe për mirë. Pra ai ka qenë aq i fuqishëm dhe urdhërues mbi të gjithë vartësit e vet dhe të gjitha gjërat e rëndësishme i vendoste ai dhe ngritja e asaj fabrike në një fshat të Tiranës ishte absurde, sepse ishte një kombinat i tërë në Poliçan që ishte krijuar për këtë arsye dhe e bënë çmontimin nëpërmjet një ndërmarrje private. Nuk besoj se ai s’ka qenë në njohuri për çfarë po bëhej dhe fakti që i biri thuhet se është i implikuar e forcon më shumë këtë bindje, pra që ka qenë në dijeni, pasi ai nuk lejonte detaje të vogla ti shpëtonin, jo më çmontimin e municioneve. Por që përgjegjësi ka sepse nuk bëhej gjë pa marr miratimin e tij, kështu që në këtë pikëpamje është përgjegjës.

klosi spak arrestime