Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas protestës kombëtare që opozita zhvilloi mbrëmjen e 10 shkurtit para Kryeministrisë, duke publikuar momente nga tubimi dhe duke falënderuar pjesëmarrësit.
Në një postim të shoqëruar me foto nga protesta, Bardhi vlerësoi pjesëmarrjen dhe e cilësoi reagimin e qytetarëve si dinjitoz. Ai theksoi se qytetarët morën pjesë si njerëz të lirë dhe reaguan ndaj situatës politike në vend.
“Shqipëria që reagon!Faleminderit me zemër për pjesëmarrjen masive dhe reagimin dinjitoz, si qytetarë të lirë”, ka shkruar ai krahas një fotoalbumi me momente nga protesta.
Mbështetësit e opozitës u grumbulluan rreth orës 17:00 përpara godinës së Kryeministrisë, në pritje të fjalimeve. Protesta shënoi kulmin me fjalën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e përshkroi situatën politike si moment kritik dhe kërkoi vijimin e protestave deri në largimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe rrëzimin e qeverisë.

Pas përfundimit të fjalimit, disa protestues hodhën molotovë dhe mjete piroteknike drejt godinës së Kryeministrisë. Forcat e policisë ndërhynë për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll.
Përplasjet vijuan më pas pranë Kuvendit. Protestuesit përdorën mjete piroteknike dhe pati përplasje fizike me efektivët. Policia përdori gaz lotsjellës për të larguar turmën nga zona.
Sipas të dhënave zyrtare, 16 efektivë policie pësuan djegie nga molotovët dhe u transportuan në spital për ndihmë mjekësore. Në Spitalin e Traumës përfundoi edhe deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, i cili u plagos gjatë përplasjeve.
Lini një Përgjigje