
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar qeverinë për dëmtimin e zonave të mbrojtura dhe mungesë llogaridhënieje për projektet që, sipas saj, rrezikojnë mjedisin dhe trashëgiminë natyrore të vendit.
Zhupa u ndal te kërkesa e saj për një interpelancë urgjente me ministrin e Mjedisit, duke ngritur shqetësimin se kjo kërkesë nuk është përfshirë në rendin e ditës.
“Kam kërkuar një interpelancë urgjente me ministrin e Mjedisit për zonat e mbrojtura. Të vijë dhe t’u japë llogari shqiptarëve. Përse nuk është futur në rendin e ditës interpelanca urgjente?”, deklaroi deputetja në Kuvend.
Ajo akuzoi gjithashtu qeverinë se ka lejuar ndërhyrje të pakontrolluara në disa prej zonave më të rëndësishme të vendit, duke përmendur Gjirin e Manastirit, Butrintin dhe Nartën.
“U mësuat ju që betonizonit çfarë të donit. Bëtë Gjirin e Manastirit dhe Butrintin me koncesion, nuk pyetët. Sot doni t’i hyni Nartës me kokë dhe nuk pyesni”, u shpreh Zhupa.
Deputetja e PD-së vlerësoi protestat e qytetarëve kundër projekteve në zonat e mbrojtura, duke kundërshtuar etiketimet që u janë bërë protestuesve.
“Janë protestues shqiptarë, jo grekë, apo rusë apo agjentë. Janë shqiptarë që u dhimbset vendi i tyre”, tha ajo.
Në fjalën e saj, Zhupa theksoi se zhvillimi i turizmit nuk mund të ndërtohet mbi betonizimin e zonave natyrore dhe kërkoi mbrojtje më të madhe për mjedisin.
“Turizmi i qëndrueshëm është me mjedis të qëndrueshëm. Nuk ka turizëm të qëndrueshëm me beton. Ju doni t’u tregoni shqiptarëve histori me beton dhe vila”, deklaroi deputetja.
Ajo e mbylli fjalën me një kritikë ndaj qeverisë për mënyrën se si po trajtohen projektet në zonat e mbrojtura.
“Sot duhet të trembeni nga ata shqiptarë që protestojnë përtej çdo partie. S’mund të na thoni që po bëni studim mjedisor me buldozer”, përfundoi Zhupa.
Lini një Përgjigje