Kryeministri Edi Rama ka reaguar për lirmin me kusht të ish ministrit Saimir Tahiri.
Gjykata e Elbasanit vendosi lirimin me kusht nga burgimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ishte dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim për shpërdorim detyre.
Ky vendim erdhi në një kohë kur Tahiri kishte vuajtur gjysmën e dënimit, ndërsa pjesën tjetër prej një viti e 7 muaj do ta kryejë në banesë.
Kreu i qeverisë tha se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.
“Këtu ne kemi hapur vetë këtë kuti të Pandorës sepse nuk kemi pranuar që të marrim përsipër përgjegjësinë e qeverisjes së këtij vendi duke mbajtur këmbën tek kapaku i kësaj kutie për të vazhduar avazin e sa shekujve ku të pushtetshmit, të fuqishmit apo të mbrojturit e këtij vendi, asnjëherë nuk janë thirrur nga drejtësia. Këtë e kemi bërë ne. 100 herë të kthehesha mbrapa, do të bëja të njëjtën gjë. Arsyeja pse njeriu merr përsipër të bëjë këtë punë që shumë këtu bëjnë, sepse një pjesë janë të angazhuar me PS por nuk kanë detyra të këtyre niveleve. Dhe nuk janë në nivelet vendimarrëse ku ndahet se çfarë rruge duhet të marrim.Duhet të vazhdojmë në një rrugë me sy mbyllur duke bërë sikur s’kuptojmë ose duke bërë barrikadë se kush është i joni mund të bëjë çfarë të dojë me ligjin dhe me pasurinë e përbashkët dhe nuk preket. Apo duhet të ndjekim një rrugë tjetër. E kemi zgjedhur këtë rrugë tjetër dhe në këtë rrugë nuk ka asnjë kthim prapa dhe asnjë kompromis me askënd. Natyrisht që unë personalisht e kam ditur që kjo nuk është një rrugë që do të mbarojë shpejt, rruga e një mandati apo dy mandateve por e një gjenerate për të arritur që ky vend të ketë drejtësi të barabartë për të gjithë. Kjo është një rrugë me shumë vështirësi, situata të shëmtuara, të hidhura, njerëz që kanë marrë gjithçka”, tha Rama.
Edhe ish-ministri Saimir Tahiri ka reaguar pak orë pas lirimit nga burgu, një vit e 8 muaj para përfundimit të dënimit për shpërdorim detyre.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Tahiri paralajmëron se beteja e tij me drejtësinë nuk ka përfunduar akoma dhe se do të vazhdojë të kërkojë të drejtën për akuzat që rëndojnë ndaj tij, ashtu sikurse ka bërë që në krye të herës.
“Pata mundësi të njihja padrejtësinë përballë. Tani kam mundësinë të kërkoj të drejtën pa kursim!”- thotë Tahiri.