
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ishte i ftuar në Euronews Albania, ndërsa në të njëjtën kohë Ervin Salianji zhvillonte një takim me pjesë të strukturave të PD-së në qytetin e Durrësit.
I pyetur nga gazetarja Mirela Milori se si i duket ky takim, Bardhi u shpreh se intervista e tij nuk ka lidhje me atë që po bën Salianji, ndërsa tha se mbështet qëndrimin zyrtar të PD-së dhe të kryetarit Berisha, sipas të cilit çdo mbledhje jashtë forumeve është private.
Milori e pyeti nëse kjo ndarje mund të jetë shqetësuese për bazën dhe demokratët.
Bardhi tha se PD nuk pengon askënd që të shprehë lirisht mendimin e tij apo të takohet me demokratët.
“PD ka institucione që nuk i kanë kufizuar të drejtën e fjalës askujt dhe nuk do të pengojë askënd të shprehë lirshëm mendimin, sikurse takime me demokratët, secili anëtar i kryesisë dhe kolegëve bën çdo ditë zgjedhjen e tij nëse këto takime do t’i bëjë publike apo jo”, shtoi ai.
Gazetarja Milori e pyeti më tej se nëse këto takime vazhdojnë dhe mund të tërheqin njerëz të pakënaqur, si do ta sqaronte bazën.
Bardhi u përgjigj se nuk ka keqkuptim në raport me bazën dhe se Shqipëria ka shumë më shumë probleme që meritojnë vëmendje sesa kjo çështje.
Ai përfundoi duke thënë: “Nuk shikoj asnjë problem të jem i vërtetë”.
Lini një Përgjigje