TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Prill 2026, 11:16

"Si u gjend folës Taulant Balla në Samit?", Zhupa: Po e përdorni diasporën për propagandë

Shkruar nga Pamfleti
"Si u gjend folës Taulant Balla në Samit?", Zhupa: Po e
Ina Zhupa

Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka drejtuar kritika ndaj qeverisë për organizimin e Samitit të Diasporës, duke e cilësuar atë si një aktivitet me karakter propagandistik dhe duke ngritur shqetësimin për përjashtimin e parlamentit nga ky proces.

Paralelisht, ajo kërkoi një qëndrim të përbashkët të klasës politike shqiptare në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

"Kam ndjekur me vëmendje edhe prononcimet e deputetëve nga ana juaj, edhe prononcimet e deputetëve tanë, në lidhje me protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Më vjen mirë që kemi reaguar të dyja palët, por kemi reaguar në mënyrë individuale, si deputetë apo si përfaqësues të elektoratit tonë.

Do të ishte në nderin dhe në detyrën e këtij Kuvendi që të reagonte zyrtarisht dhe të dilte me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për të përdorur gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.

Që vjen që nga Marrëveshja e Ohrit, tek ligji i miratuar nga Maqedonia e Veriut, sepse nuk bëhet fjalë për një diskutim me karakter politik, por bëhet fjalë për një diskutim me karakter ligjor, me karakter kombëtar.

Ju, samitin e diasporës e kishit titulluar Rrënjët të lartësojnë. Rrënjët tona janë kudo, janë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe është detyra e shtetit shqiptar që të kujdeset sa herë cënohen të drejtat atje.

Mënyrën se si, zoti kryetar, e kishit organizuar samitin e diasporës, do t'ju ftoja me shumë sinqeritet, meqënëse jeni duke diskutuar edhe Rregulloren e Kuvendit, që komisionit të turizmit dhe të kulturës, le t'ia hiqni diasporën, për aq kohë sa e keni injoruar totalisht Kuvendin, për aq kohë sa qeveria nuk e pa të nevojshme që të përfshinte deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, komisionin parlamentar të diasporës, për të marrë pjesë, për të qenë pjesë e për të organizuar një samit i cili i shërbente realisht diasporës.

Kur ky samit, zoti ministër, meqë jeni këtu, do të duhej të kishte filluar me çfarë u bë nga tre samitet e mëparshme. Kush ishin objektivat që arritën ata tre të mëparshmit dhe cilat janë objektivat e këtij të katërtit?

Po e kthyet në një samit propagandistik, ku unë për shembull nuk arrita dot ta kuptoj, mbasi ju kishit publikuar axhendën finale, si u gjend folës Taulant Balla dhe me ç'tagër ishte Taulant Balla atje, përveçse me tagrin e drejtuesit politik të diasporës. Se po të ishte si kryetar grupi, detyrimi ishte që të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare të ishin ftuar atje. Ju çdo gjë e përdorni për politikë dhe për qëllime elektorale. Por të paktën, kur vjen puna tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, le të bashkohemi, le të jetë detyrë e kryetarëve të grupeve për të bërë një deklaratë të përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë.", tha Zhupa.

Në fjalën e saj, Zhupa theksoi nevojën për më shumë bashkëpunim institucional dhe përfshirje të Kuvendit në çështje që lidhen me diasporën, si dhe kërkoi që temat me interes kombëtar të trajtohen me unitet politik.

Lini një Përgjigje