Politike 8 Mars 2023, 19:10

Vendimi për vulën, KLGJ “shuplakë” Berishës: Boll me sulme ndaj drejtësisë, thirrjet për vetëgjyqësi të patolerueshme!

Shkruar nga Pamfleti

Vendimi për vulën, KLGJ “shuplakë” Berishës:

Sipas KLGJ, thirrjet publike për vetëgjyqësi, ndaj një akti të pushtetit gjyqësor, pavarësisht mos dakordësisë me të, janë haptazi kundër rendit kushtetues, mbi bazën e të cilit funksionon shteti i së drejtës...

Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dhënë një “shuplakë” të fortë Sali Berishës, pas sulmeve që ky i fundit ka lëshuar ndaj Gjykatës së Apelit. Të premten Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm ja dha vulën Alibeajt dhe Berisha vetëm turfullon. Çdo ditë kërcënon dhe anatemon gjyqtarët, duke i cilësuar si të blerë.

Por për KLGJ të tilla sulme dhe akuza janë të patolerueshme. Përmes një deklarate për mediat, qeveri e gjyqësorit kërkon nga Berisha dhe ata që i shkojnë pas që të ndalin anatemimet dhe sulmet ndaj drejtësisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton se ditët e fundit janë bërë deklarata nga persona publikë që shprehin pakënaqësi ndaj një vendimi të dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton me keqardhje se ky nuk është një rast i izoluar i mosrespektimit të dinjitetit të gjyqtarit, një kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës. Gjuha e urrejtjes kundër gjyqtarëve është shqetësuese dhe e papranueshme. Thirrjet publike për vetëgjyqësi, ndaj një akti të pushtetit gjyqësor, pavarësisht mos dakordësisë me të, janë haptazi kundër rendit kushtetues, mbi bazën e të cilit funksionon shteti i së drejtës”, shprehet KLGJ.

Sipas saj, aludimet për “kapje” të gjyqtarëve, referojnë elementë të korrupsionit që, në mungesë të fakteve, minojnë rëndë besimin te drejtësia dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor. Më tej theksohet se liria e shprehjes e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nuk mbron në asnjë rast gjuhën e urrejtjes apo thirrjet për dhunë.

Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit. Po ashtu, kushdo që vjen në dijeni të një veprimtarie apo sjellje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore sipas ligjit, ka mundësinë që rastin t’ia referojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të vlerësuar dhe vendosur nëse është vendi për fillimin e procedimit disiplinor të gjyqtarit”, thuhet në deklaratën e KLGJ.

Gjykata e Apelit të premten vendoi të kthejë në Shkallën e Parë vendimin për vulën e PD. Ky vendim i hoqi Berishës mundësinë të futet në zgjedhje nën logon e PD dhe prej një jave ai ka dalë nga vetja duke sulmuar gjyqtarët, ambasadoren Kim dhe këdo që mendon se i hoqi vulën nga dora. /Pamfleti

klgj berisha vula