
Ditën e sotme, do të mbahet seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Mësohet se 28 deputetë nga 35 që janë të regjistruar zyrtarisht në Kuvend në përbërje të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i kanë dërguar sot një vendim Kryetares së Kuvendit, ku deklarojnë se njohin si Kryetar Grupi Parlamentar të PD Gazment Bardhi.
Deputetët që kanë firmosur janë: Agron Gjekmarkaj, Asllan Dogjani, Bledion Nallbati, Bujar Leskaj, Dashnor Sula, Dhurata Cupi, Edi Paloka, Ervin Salianji, Ferdinand Xhaferaj, Flamur Hoxha, Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Helidon Bushati, Ina Zhupa, Isuf Celaj, Jorida Tabaku, Kastriot Piroli, Lefter Gështenja, Lindita Metaliaj, Ludovik Hasanaj, Qani Xhafa, Ramadan Likaj, Saimir Korreshi, Sorina Koti, Tomor Alizoti, Xhelal Mziu dhe Zheni Gjergji.
Ndërkohë nga ana tjetër, kreu i PD, Lulzim Basha ia ka deleguar depuetetes Flutura Açka këtë kompetencë.
Ditën e djeshme, Flutura Açka u largua nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Açka përmes një reagimi në rrjete sociale ka bërë me dije se është larguar nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku Gazment Bardhi, mori pjesë si kreu i grupit parlamentar të PD-së, për të mos e bërë situatën qesharake.
“Kuvendi NUK u shpreh dhe shpresoj të shprehet shpejt, sepse, siç edhe thashë në Konferencën e Kryetarëve, nga e cila u largova të mos e bëj qesharake situatën mes kolegëve të mi, me të cilët më shumë gjëra më bashkojnë se më ndajnë – “dy dado e vrasin fëmijën!”.
Do t’i lutesha medies të jetë korrekte me çdo lajm. Vetë nuk do të bëj kurrë lajme me sms, sepse fyej veten dhe medias së cilës (mund) t’ia çoj. Partia Demokratike nuk ndihmohet me kaos, por me distancë higjienike nga interesi personal i çdonjërit prej nesh, me përgjegjësinë politike të deleguar nga shqiptarët”, shkruan Açka.