Kosova 7 Qershor 2023, 22:17

Escobar kërkoi zgjedhje të reja në veri para korrikut, Kurti për “France24”: Mund të mbahen pas disa muajve

Shkruar nga Pamfleti

Escobar kërkoi zgjedhje të reja në veri para korrikut, Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë sot një intervistë për televizionin France24, ku ka folur për zhvillimet në veri të vendit dhe kërkesat e ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës.

Gjatë intervistës, Kurti ka deklaruar se zgjedhje të parakohshme në veri mund të ketë pas disa muajve, ndërsa shton se ato mund të mbahen vetëm pas heqjes së bandave të dhunshme nga veriu.

“Pas disa muajve mund të kemi zgjedhje të parakohshme, por ky nuk është qëllimi. Qëllimi është sundimi i ligjit. Duhet së pari të heqim bandat e dhunshme dhe vetëm atëherë mund të kemi zgjedhje”, ka deklaruar kryeminstri.

Ndërkohë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se zgjedhjet e reja në katër komunat në veri nuk duhet ta presin fundin e korrikut.

Kryeministri Kurti ka thënë gjithashtu se zgjedhjeve duhet t’i paraprijë edhe një kampanjë e lirë dhe e drejtë. Ai ka deklaruar se në Kosovë nuk mund të merret pushteti pa pjesëmarrje në zgjedhje.

“Së pari na duhet një kampanjë e lirë dhe e drejtë, e pastaj zgjedhje të parakohshme. E di që di këta katër kryetarë nuk do të rizgjedhen. Por në Kosovë s’mund ta marrësh pushtetin pa pjesëmarrje në zgjedhje”, ka deklaruar Kurti.

Duke folur për katër kryetarët shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, Kurti u shpreh se legjitimiteti i tyre është i ulët, duke shtuar se nuk është faji i tyre për bojkotin e zgjedhjeve në këto komuna.

“Nuk është faji i kryetarëve aktualë, që kishte dalë dalje të ulët në zgjedhje. Ata janë legalë. Është e vërtetë që legjitimiteti i tyre politik është i dobët, por i të tjerëve është zero”, është shprehur ai.

Sipas kryeministrit, për shkak se ka dështuar ideja e shkëmbimit territorial me Serbinë, tani kjo përpjekje është bërë e dhunshme.

“Para disa viteve, shkëmbimi kufitar ishte eufemizëm për ndarjen e Kosovës. Tani, projekti për ndarjen e Kosovës, është bërë i dhunshëm. Serbia dhe Rusia e urrejnë faktin që Kosova është storie suksesi e ndërhyrjes së NATO-s dhe progresit ekonomik dhe demokratik”, ka përfunduar kryeministri Kurti.

kurti zgjehdje veri escobar