Ish-ambasadori amerikan William Walker deklaroi se është i gatshëm të dëshmojë në Gjykatën Speciale në Hagë në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se ata “nuk duhet të bëjnë asnjë ditë burg”.
Sipas raportimit të A2 CNN, Walker i bëri këto komente gjatë një bashkëbisedimi me studentë shqiptarë në Universitetin e Harvardit. Ai u shpreh se ndryshimi duhet të vijë përmes ligjit dhe jo përmes procesit gjyqësor, duke sugjeruar rishikim të kuadrit ligjor që lidhet me Gjykatën Speciale.
Walker, i njohur për rolin e tij në dokumentimin e masakrës së Reçakut në vitin 1999, tha se është i gatshëm të jetë dëshmitar kyç në proceset që zhvillohen në Hagë. Ai ka trajtuar këtë ngjarje edhe në librin e tij “Reçaku – Një histori për krimet e luftës”.
Në përgjigje të një pyetjeje mbi zhvillimin e Kosovës si shtet i pavarur, Walker vlerësoi se vendi ka sot “demokracinë më të zhvilluar në rajonin e Ballkanit”.
Diskutimi në Harvard u fokusua gjithashtu në përjetimet dhe interpretimin e tij mbi ngjarjet e luftës në Kosovë, veçanërisht masakrën e Reçakut, ku u vranë 45 civilë.
Lini një Përgjigje