
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç takohen sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar rrugët dhe ritmin e zbatimit të një plani perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken dhe shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar ditën e djeshme thanë se është koha e duhur që Kosova dhe Serbia të hedhin hapa domethënës në interes të integrimeve perëndimore.
“Diskutuam Dialogun Serbi-Kosovë të udhëhequr nga BE-ja dhe anëtarësimin në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen tonë të unifikuar dhe të palëkundur për Ukrainën”-shkruan Blinken.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ka pranuar komente nga Kosova dhe Serbia lidhur me udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian.
Ai tha se gjatë bisedimeve të sotme do të punohet për “një version të konsoliduar të aneksit, mbështetur në komentet e tyre. Dhe pastaj, shpresoj që Kosova dhe Serbia do të bien dakord me rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve. Ky aneks për zbatimin do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, pasi ne do të saktësojmë se si do të zbatohen dispozitat e saj”, tha zoti Borrell, duke shfaqur shpresën se në Ohër do të ketë një mundësi të veçantë që Kosova dhe Serbia të përparojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, do të vendosim një marrëdhënie të qëndrueshme, afatgjatë, të orientuar drejt së ardhmes, duke tejkaluar menaxhimin e përhershëm të krizave, siç kemi bërë muajt e fundit. Kjo do të ketë një ndikim pozitiv në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe në forcimin e qëndrueshmërisë së rajonit”, ka shtuar Borrell.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk planifikon të nënshkruaj asgjë në takimin e së shtunës dhe se nuk do të heq dorë nga vijat e kuqe të Serbisë kundruall Kosovës, duke ju referuar qëndrimeve të tij kundër mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Plani evropian parasheh që palët të mos e pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, të cilat kushtëzohen pikërisht më normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.