
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sësish për rezultatin e takimit me presidentin serb, Aleksander Vuçiç nën ndërmjetësimin e BE-së. Kurti shkruan se në Ohër kanë shkuar me qëllime të mira, duke përmendur sërish se Serbia ka qenë ajo që iu shmang nënshkrimit të aneksit sikurse veproi edhe në Bruksel.
“Ne kemi ardhur në Ohër me qëllime të mira dhe kemi treguar mirëbesim gjatë takimeve të djeshme. Falënderoj Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, emisarin Miroslav Lajçak dhe emisarin e SHBA-ve, Gabriel Escobar për angazhimin e tyre të palëkundur, si dhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen e tyre të ngrohtë”, ka shkruar Kurti
Ai ka theksuar se i takon BE-së që të gjej një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarit të obligueshme.
“Tani kemi arritur një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, ashtu si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes dhe tani edhe Aneksit. I takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, është shprehur Kurti në Twitter.
Çfarë ndodhi dje në Ohër?
Ditën e djeshme Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian.
Ndërmjetësues ishin diplomatët evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Dy palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiç e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.