
Kalimi i mesfushorit francez N’Golo Kante nga Arabia Saudite te Fenerbahçe u shoqërua me vështirësi të shumta, por u finalizua vetëm pas ndërhyrjes direkte të presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
Klubi i Stambollit konfirmoi zyrtarisht transferimin, duke falënderuar publikisht presidentin turk për rolin e tij vendimtar. Fillimisht, mbërritja e fituesit të Kupës së Botës 2018 ishte refuzuar për shkak se dokumentacioni përkatës ishte dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar.
Fenerbahçe sqaroi se zyrtarët e Al-Itihad kishin futur gabimisht të dhënat e transferimit në sistemin e FIFA-s (TMS), pikërisht në momentin kur mbyllej afati i merkatos në Arabinë Saudite. Klubi turk nuk bëri të ditur kohëzgjatjen e kontratës së ofruar për 34-vjeçarin.
“Disa histori kërkojnë kohë, por nuk mbarojnë kurrë. Mirë se erdhe në Fenerbahçe, N’Golo Kanté”, shkroi klubi në një postim në rrjetin social X më 4 shkurt.
Sipas mediave, pas bllokimit të transferimit, presidenti Erdogan, i cili udhëtonte drejt Arabisë Saudite për një takim me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, përdori ndikimin e tij për të zhbllokuar situatën.
Edhe presidenti i Fenerbahçes, Sadetin Saran, shprehu mirënjohjen e tij publike: “Në emrin tim dhe të klubit, dua të falënderoj Presidentin tonë, z. Recep Tayyip Erdogan, për mbështetjen e tij të palëkundur, e cila mundësoi përfundimin me sukses të këtij procesi dhe do të kontribuojë në zhvillimin e Fenerbahçes dhe futbollit turk”.
Sipas shtypit turk, Kanté kishte refuzuar të stërvitej me skuadrën e tij në Arabinë Saudite, duke ushtruar presion për realizimin e transferimit, ndërsa më pas FIFA dha miratimin përfundimtar. Objektivi i mesfushorit mbrojtës është të qendrojë në formë optimale në prag të Kupës së Botës, e cila do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Lini një Përgjigje