
Finalja e mundshme e “play off“ në Prishtinë, Federata e Kosovës nxjerr në shitje biletat; tifozët nuk pyesin edhe nëse do të jetë miqësore
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen që do të zhvillohet më 31 mars 2026, në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Sipas njoftimit zyrtar, bileta e blerë do të jetë e vlefshme në varësi të rezultatit të përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen paraprake në Sllovaki. Në rast të fitores, ajo do të shfrytëzohet për ndeshjen finale të “Play-Off”-it kundër fituesit të çiftit Turqi–Rumani. Ndërkaq, në rast humbjeje, bileta do të vlejë për një ndeshje miqësore kundër humbësit të po këtij dueli.
Çmimet dhe kategoritë e biletave
FFK ka bërë të ditur edhe çmimet sipas sektorëve të stadiumit:
Veri & Jug – 10 euro
Lindje – 20 euro
Perëndim – 30 euro
VIP – 100 euro
Si mund të blihen biletat
Biletat mund të blihen online përmes platformës zyrtare. Procesi përfshin disa hapa:
Regjistrimi fillestar në platformë
Përzgjedhja e tribunës dhe ulëses së preferuar
Kryerja e pagesës online
Pritja për gjenerimin e biletës dhe faturës
Pas përfundimit të blerjes, bileta dërgohet edhe në adresën elektronike të blerësit, ndërsa FFK rekomandon kontrollimin edhe të dosjes “Spam”.
Rregulla dhe kufizime
Federata thekson disa rregulla të rëndësishme për tifozët:
Një person mund të blejë maksimumi katër bileta
Biletat janë të personalizuara dhe nuk mund të përdoren nga më shumë se një person
Bileta duhet të jetë e printuar në format A4 dhe me cilësi të lartë
Në rastet kur bileta nuk arrin në email pas blerjes, ajo mund të rikuperohet përmes kodit përkatës në platformën online.
Lini një Përgjigje