TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Maj 2025, 20:19

Humbi penallti në ndeshjen vendimtare, Kristian Shpendi shpërthen në lot pas eliminimit nga gara për Serinë A

Shkruar nga Pamfleti

Humbi penallti në ndeshjen vendimtare, Kristian Shpendi shpërthen

Kristian Shpendi ka humbur sot një mundësi të artë për të hyrë në historinë e Çezenës, pasi ka shpërdoruar një penallti që mund të rezultonte vendimtare për të shtyrë skuadrën e tij drejt Serisë A.

Sulmuesi shqiptar ka qenë protagonisti kryesor i Çezenës në këtë edicion në Serinë B me golat e tij duke e bërë skuadrën pretendente për ngjitjen, pasi ajo u kualifikua në “play-off”. Aty, rregullorja e vendosi përballë Katanxaros, në ndeshjen me eliminim direkt në fushën e këtyre të fundit dhe Shpendi kishte mundësinë t’i jepte skuadrës së tij avantazhin në startin e pjesës së dytë.

Çezena fitoi penallti dhe ajo iu besua pikërisht djaloshit shqiptar, i cili pati shansin të ndryshonte fatin e duelit. Por gjuajtja e tij nga pika e bardhë u neutralizua nga portieri kundërshtar, duke e dëshpëruar lojtarin i cili u ngushëllua gjatë nga shokët e skuadrës.

Sikur të mos mjaftonte kjo, pak minuta më vonë Katanxaro shënoi golin e avantazhit dhe trajneri nxori nga fusha Shpendin, i cili po vuante dukshëm gabimin nga pika e bardhë. Rezultati i ndeshjes nuk ndryshoi më në minutat në vijim dhe Katanxaro vazhdoi garën në “play-off” për ngjitjen në elitën e futbollit italian.

Ndërsa vendasit festonin, Shpendi nuk mbante dot lotët teksa shkonte poshtë tribunës së tifozëve të skuadrës së tij. Ai u ngushëllua nga shokët e skuadrës dhe mori duartrokitjet e mbështetësve të Çezenës ku ai është kthyer në një idhull të mirëfilltë në dy sezonet e fundit.

kristian shpendi sulmuesi shqiptar çezena

Lini një Përgjigje