
Tirana prek fundin dhe vazhdon 'të notojë në ujëra të ftohta'. Klasikja e luajtur në "Loro Boriçi", e cila hapi javën e 26-të të Abissnet Superiore është mbyllur me fitoren e Vllaznisë me rezultatin e pastër 3-1.Bardhebluve nuk i bën derman as Orges Shehi. Trajneri durrsak e nis me humbje aventurën e tij të re si trajner i ekipit kryeqytetas.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1. Tirana zhbllokoi e para ndeshjen në minutën e 25. Redon Xhixha pasoi te Tabeku, i cili nuk gjuajti siç duhej, por topi u kthye te Xhixha, i cili nuk gaboi me diagonalen e tij.
Festa e kryeqytetasve zgjati vetëm 6 minuta, pasi Vllaznia gjeti golin e barazimit. Pas një goditje dënimi të Malës, Bismark me kokë gjeti devijimin e duhur për të mposhtur portierin Bekaj.
Sapo nisi pjesa e dytë, më saktë në minutën e 48, Qato nisi Balajn në të majtë, pasimi i sulmuesit në qendër u kthye në portën e Bekajt nga Kortez i cili shënoi autogol.
Në minutën e 68, Vllaznia fitoi një penallti. Depërtim në zonë i Malës i cili u ndal në mënyrë të parregullt nga Halili dhe për gjyqtarin Lata nuk pati dyshime, duke bërë shenjë nga pika e bardhë mes protestave të bardhebluve që pretenduan një prekje topi me dorë të Kallakut gjatë aksionit.
Në minutën e 71, Bekim Balaj u tregua i saktë nga pika e 11-metërshit dhe i dha Tiranës golin e kapitullimit.
Me këtë fitore, Vllaznia vazhdon të mbajë e vetme kreun e klasifikimit me 51 pikë, ndërsa Tirana renditet në vendin e 9 me 21 pikë.
Lini një Përgjigje