
Një skandal i brendshëm ka përfshirë klubin skocez Glasgow Rangers, ku sipas raportimeve të mediave britanike disa futbollistë dyshohet se kanë keqpërdorur dhoma hotelesh të rezervuara nga klubi për qëllime mjekësore.
Sipas informacioneve të publikuara, dhomat në fjalë ishin prenotuar për seanca fizioterapie gjatë qëndrimeve të ekipit në hotele në Angli, por një numër i vogël lojtarësh dyshohet se i kanë përdorur ato për takime private me vajza të tjera.
Zbulimi i rastit dhe reagimi i klubit
Skandali thuhet se u zbulua pasi bashkëshortja e njërit prej futbollistëve ka zbuluar tradhtinë dhe ka kontaktuar drejtuesit e klubit, duke denoncuar rastin. Pas këtij denoncimi, Rangers ka ndërmarrë hapa të brendshëm, duke pezulluar një anëtar të stafit mjekësor.
Ende nuk dihet saktësisht se sa lojtarë janë të përfshirë, as për sa kohë ka vazhduar kjo praktikë. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse futbollistët e përfshirë kanë kryer realisht trajtime fizioterapie gjatë qëndrimit në hotele.
Burime dhe tensione të brendshme
Një burim i cituar nga “The Scottish Sun” ka deklaruar se:
“Dhomat u rezervuan përmes departamentit të fizioterapisë, por disa lojtarë duket se e kanë shfrytëzuar këtë mundësi për përfitime personale.”
Një tjetër burim ka shtuar se brenda klubit ka pakënaqësi, pasi një anëtar i stafit me përvojë po ndëshkohet për veprime që lidhen me lojtarët, duke u perceptuar si “kurban”, ndërkohë që futbollistët nuk kanë marrë masa disiplinore.
Sipas raportimeve, një pjesë e madhe e diskutimeve rreth këtij rasti ka ndodhur në grupet WhatsApp të lojtarëve dhe stafit, ndërsa çështja ka qenë e njohur prej disa javësh brenda ambientit të klubit.
Heshtje zyrtare
Renxhërs, klubi ku aktivizohet edhe futbollisti i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, ka refuzuar të komentojë mbi këto raportime, duke i cilësuar si spekulime.
Edhe anëtari i pezulluar i stafit mjekësor, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ka refuzuar të japë koment kur është kontaktuar nga mediat.
Lini një Përgjigje