Një gjykatë në Zvicër ka shpallur të pafajshëm ish-pilotin australian të garave, Xhoej Mauson, ndaj akuzave për përdhunim të ngritura nga një infermiere që punonte në ekipin e kujdesit për legjendën e Formula 1, Majkëll Shumaker.
Mauson, 30 vjeç, akuzohej se kishte sulmuar seksualisht infermieren gjatë një feste të mbajtur në vitin 2019 në rezidencën e familjes Shumaker në Gland, pranë Gjenevës. Sipas pretendimeve të gruas, ajo ishte përdhunuar dy herë pasi kishte humbur ndjenjat pas konsumimit të alkoolit.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Mauson ka mohuar akuzat, duke këmbëngulur se marrëdhënia kishte qenë me pëlqim të ndërsjellë. Pas shqyrtimit të provave dhe dëshmive, gjykata vendosi ta lirojë nga të gjitha akuzat, duke arsyetuar se nuk ishte e mundur të provohej fajësia e tij përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
“Është një vendim i drejtë; ai më në fund mund të bëjë plane për të ardhmen tani që emri i tij është pastruar”, deklaroi avokati i Mauson, Luk Vanej.
Nga ana tjetër, infermierja reagoi me zhgënjim ndaj vendimit dhe u largua nga salla e gjyqit në lot. Në një deklaratë publike, ajo tha se ndihej e braktisur nga sistemi i drejtësisë.
“Kam kaluar nëpër ferr këto gjashtë vitet e fundit. Së pari u sulmova, më pas humba punën dhe tani gjykata në thelb ka thënë se jam gënjeshtare”, u shpreh ajo.
Çfarë u tha në gjykatë
Sipas dosjeve gjyqësore, natën e ngjarjes Mauson po luante bilardo me dy anëtarë të stafit të familjes Shumaker, kur infermierja iu bashkua grupit pasi kishte përfunduar turnin e punës. Gruaja kishte konsumuar alkool dhe më pas ishte ndier keq. Fillimisht ajo kishte fjetur në dysheme, ndërsa më vonë kolegët e kishin dërguar në një dhomë gjumi.
Prokuroria pretendoi se Mauson kishte hyrë në dhomë më vonë dhe kishte kryer marrëdhënie seksuale me të ndërsa ajo ishte pa ndjenja. Megjithatë, gjykata arriti në përfundimin se pretendimet nuk mund të provoheshin me standardin e kërkuar për një dënim penal.
Vetë Mauson dëshmoi se kishte qëndruar në dhomën e saj deri në orët e para të mëngjesit dhe se kishte besuar se ajo ishte në gjendje më të mirë nga sa rezultoi më pas. Ai pranoi gjithashtu se kishte konsumuar shumë alkool dhe nuk mbante mend me saktësi të gjitha ngjarjet e asaj nate.
Çështja u denoncua vite më vonë
Rasti u bë publik disa vite pas ngjarjes së pretenduar. Infermierja u largua nga ekipi mjekësor që kujdesej për Majkëll Shumaker në vitin 2020, ndërsa kallëzimi penal u paraqit në vitin 2022.
Familja Shumaker nuk ishte palë në proces dhe nuk u përball me asnjë akuzë apo pretendim për shkelje ligjore.
Gjatë gjyqit u paraqitën gjithashtu mesazhe që Mauson i kishte dërguar infermieres pas ngjarjes, ku ai kërkonte falje për dhimbjen ose shqetësimin që mund t’i kishte shkaktuar.
Karriera sportive
Xhoej Mauson konsiderohej një nga talentet premtuese të sporteve motorike australiane. Ai ka qenë mik dhe rival i Mik Shumaker, djalit të shtatë herë kampionit të botës në Formula 1, Majkëll Shumaker, dhe ka garuar përkrah pilotëve të njohur si Lando Norris dhe Xhorxh Rasëll.
Megjithatë, karriera e tij sportive u përball me vështirësi pas përfshirjes në një çështje dopingu, e cila çoi në pezullimin e tij nga garat.
Lini një Përgjigje