
Përfundon finalja e Ligës së Europës. Sevilja ka mposhtur Romën falë goditjeve të sakta nga pika e bardhë e penalltive. Andaluzët kanë bërë të vetin trofeun e 7, duke triumfuar përballë Zhoze Murinjos, njeriut të fianleve të kompeticioneve europiane.
Me këtë triumf, spanjollët kualifikohen sezonin e ardhshëm në fazën e grupeve të UEFA Champions League së bashku me Barcelonën, Realin e Madridit, Atletikon e Madridit dhe Real Sociedadin.
Roma dhe Sevilja i mbyllën 90 minutat e kësaj supersfide të zhvilluar në Budapest në barazim 1-1, duke bërë që fituesi të diskutohej në kohën shtesë.
Italianët kaluan në avantazh në minutën e 35 me Paolo Dibalën. Sulmuesi argjentinas mori një top fantastik nga Mançini dhe pasi u shfaq para portës nuk gaboi.
Një gol që u pasua nga protestat e spanjollëve, të cilët pretenbduan për një faull nga Matiç në mesfushë gjatë aksionit që çoi skuadrën e Murinjos te goli.
Sevilja barazoi shifrat në minutën e 55. Pas një harkimi nga e djathta ishte Mançini, i cili devijoi në mënyrë të pafat në portën e tij.
Në muajin gusht, Sevilja do të përballet me fituesin e çiftit Inter-Mançester Siti për të diskutuar trofeun e Superkupës së Europës.