Aktualitet12 Korrik 2023, 18:01

Avokatët e Ahmetajt largohen nga mbledhja, akuza SPAK-ut: Në dosje vetëm aludime, e gjitha show për orekset e disa personave

Shkruar nga Pamfleti
Avokatët e Ahmetajt largohen nga mbledhja, akuza SPAK-ut: Në dosje
Avokatët e Ahmetajt

Avokatët e Arben Ahmetajt kanë mbyllur mbrojtjen në Këshillin e Mandateve. Pas 2 orësh diskutimesh, ata dhe prokurorët e SPAK u larguan nga mbledhja.  

Mësohet se në mbledhje ata kanë kundërshtuar argumentet e SPAK. Avokati Ardian Visha nga ana e tij u shpreh se SPAK nuk ka asnjë provë kundër Ahmetajt, por ngre në dosje vetëm aludime. Më pas ai foli para mediave, duke thënë se SPAK kërkon vetëm show.

Zoti Ahmetaj ka nisur përballjen me drejtësinë. Është e drejta e vetë nëse do vijë në Shqipëri apo jo. Ne mbajtëm qëndrim të kundërt nga ajo që kërkon prokuroria. Na u dha kohë jo më shumë se 24 orë për të parë 320 faqe material, që janë dashur 2 javë për t’i shkruar. Ne nuk vërejtëm kurrkund në këto faqe asnjë rresht që justifikon kontrollin e banesës së zotit Ahmetaj. Kjo është thjesht një show për të kënaqur epshet e disa njerëzve se si dhunohet e drejta e një deputeti. Për masën e sigurisë nuk kishte asnjë arsye pse kërkohet kjo masë ekstreme. Jemi kundër arrestimit të tij”, u shpreh ai.

SPAK ka kërkuar nga Kuvendi që të lejojë arrestimin e Arben Ahmetajt, pasi ndaj tij janë ngritur 3 akuza: për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Dje ishte SPAK që parashtroi kërkesën dhe dha argumentet se përse duhet të arrestohet ish-ministri. Sot ishin avokatët që bënë mbrojtjen. Mbledhja u shoqërua me debate mes palëve. Fillimisht pati përplasje mes PS dhe PD sa i takon procedurave. Mazhoranca vendosi që votimi në seancë të bëhet ditën e hënë. Ndërkohë opozita kërkonte që votimi për t’i hapur rrugë arrestimit të bëhej nesër. Po ashtu pati dhe përplasje mes deputetëve të opozitës dhe avokatëve.

Pas largimit të avokatëve, deputetët kanë vijuar me diskutimet, ku duket se është vendosur që të hënën të kemi një seancë të posaçme për të votuar raportin dhe për t’i hapur rrugë arrestimit.

 

ahmetaj avokatet