Aktualitet29 Shkurt 2024, 16:56

Gatoi drekën për Zelensky-n, shefi i kuzhinës: Për arsye sigurie, ushqimin e provova unë para se ta shërbeja

Shkruar nga Pamfleti

Gatoi drekën për Zelensky-n, shefi i kuzhinës: Për arsye

Ditën e djeshme pas samitit që u mbajt për Ukrainën në Tiranë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konsumoi drekën restorantin e njohur “Padam”, në shoqëri të kryeministrit Edi Rama dhe disa prej liderëve të rajonit të Evropës Juglindore.

Shefi i kuzhinës në restorantin ku Zelensky konsumoi vaktin ushqimor para se të largohej nga Tirana, zbuloi detaje që nga masat e marra për sigurinë e deri tek fakti që ushqimin e kishte provuar ai vetë para se t’ia shërbente presidentit ukrainas dhe liderëve të tjerë. 

“Gjëja që ishte më ndryshe nga të tjerat këtë radhë ishte çështja e sigurisë. Rojat e Zelenskyt ishin në gjithë lokalin tim. Ushqimin nuk e provuan, por unë vetë, po... Po flasim për një person, vendi i të cilit është në luftë. Pavarësisht se është bërë personazh nga mediat dhe situata, përgjegjësia nuk ishte e lehtë. Nuk ishte vetëm prezenca e tij, por edhe delegacionet e tjera shoqëruese në salla të ndryshme, rreth 100 persona në total... Afër Zelenskyt ishte ulur kryeministri Rama. Në anën tjetër ishte ndoshta kryeministri i Kroacisë dhe në krahun tjetër presidentja e Kosovës. Presidenti Vuçiç nuk ishte për drekë", tha Fundim Gjepali për "Report Tv".

Gjatë kohës që Zelensky dhe liderët e tjerë po konsumonin drekën, jashtë restorantit që ndodhej në qendër të Tiranës, u morën masa të rrepta sigurie duke u ndaluar edhe qarkullimi i qytetarëve përreth objektit.